Vërshim banorësh romë tek Avokati i Popullit. Totozani: Shkoni në shtëpi, do punoj 24 orë për ju
(E PERDITESUAR)- Përpara zyrave të Avokatit të Popullit janë dyndur me dhjetëra banorë romë, të cilët kanë dëgjuar se ai të jep zgjidhje për çështjen e strehimit. Nuk bëhet më fjalë për 52 banorët romë që Avokati i Popullit, Igli Totozani i mori me dëshirë brenda institucionit të tij, por për shumë të tjerë, që kanë dëgjuar në media për këtë çështje. Mediat raportojnë për shumë banorë romë që kanë mbushur ambientet brenda dhe jashtë zyrave të Avokatit të Popullit, duke kërkuar zgjidhje për problemin e strehimit. Bëhet fjalë për banorë të Tiranës, për të cilët bashkia premton çadra. Ndërkohë ata duan një zgjidhje të përhershme për strehimin, pasi në çadra kanë jetuar prej kohësh.
Ndërkohë Avokati i Popullit ka dalë përpara tyre për tu kërkuar që të mos pushtojnë oborrin e institucionit. Shkoni në shtëpitë tuaja e vijoni jetën normalisht, tha Totozani, që premtoi se institucioni i tij do punojë 24 orë në ditë për çështjen e romëve. Unë po flas hapur, nuk po ju gënjej. Do jemi shumë bashkëpunues me ju. I dimë hallet tuaja, jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen tuaj. Shkoni në shtëpi se nuk e zgjidhim dot çështjen këtu. Shkoni nëpër çadrat tuaja. Unë ju dhashë një premtim, mos më bëni ta përsëris disa herë. U thoni edhe të tjerëve të mos vijnë këtu. Ne duhet të punojmë në zyra, tha Totozani.
