E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Verstapen: Kjo që po ndodh, e papranueshme!

Kampioni në fuqi i botës në Formula 1, Maks Verstapen, nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij, duke thënë se ishte “e papranueshme” që nuk arriti të dielën të mbyllte garën në Çmimin e Madh të Australisë, pasi makina e tij “Red Bull” pësoi avari teksa ai ishte në vendin e dytë. Në fakt, ishte hera e dytë në këto 3 gara të para të këtij sezoni, që holandezi nuk arriti ta mbyllë garën, teksa u tërhoq edhe në garën e parë në Bahrein.

 “Jemi kaq shumë prapa “Ferrari”-t, por duhet edhe t’i mbyllim garat”, – deklaroi Verstapeni pasi u tërhoq në xhiron e 39-të të garës në pistën e “Albert Park”-ut, teksa mbante vendin e dytë, pas fituesit eventual të garës, Sharl Lëklerkut të “Ferrari”-t. “Nuhas disa lëngje të çuditshme”, i tha ai skuadrës në radio, përpara se të ndalonte makinën dhe të dilte nga makina e të ndihmonte punonjësit e pistës të shuanin zjarrin në makinën e tij.

 “Sot ishte një ditë e keqe, pasi po administroja gomat dhe nuk po mund të luftoja me Lëklerkun”, – pohoi ai, duke vijuar: “Nisja nga vendi i dytë ishte diçka e mirë, por ne as nuk e mbyllëm garën dhe kjo është zhgënjyese dhe e papranueshme. Nëse synon të luftosh për titull”, të tilla gjëra janë të papranueshme.”

Verstapeni nuk ka qenë edhe aq i lumtur gjatë gjithë fundjavës, teksa, pasi siguroi nisjen nga vendi i dytë, pohoi se nuk ishte i kënaqur me makinën e tij “Red Bull”. “Nuk u ndjeva komod në asnjë xhiro, përveçse në vijë të drejtë”, – tha ai, duke fajësuar problemet me balancën e makinës.

24-vjeçari u ankua gjithashtu pasi organizatorët e ulën numrin e zonave të përdorimit të sistemit “DRS” nga 4 në 3 për arsye sigurie. “Red Bull”-i është më shpejtë sesa “Ferrari” në vijë të drejtë, kështu që numri më i madh i zonave të DRS-së do ta kishte favorizuar skuadrën austriake kundrejt asaj italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›