Veseli: Burgosja e Limajt, njollos vlerat e luftës çlirimtare

Lidhur me arrestimin dhe paraburgosjen e Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë në rastin “Kleçka”, në një prononcim për Lajmonline, ka reaguar edhe anëtari i PDK-së dhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli
“Veprimi i arrestimit të luftëtarëve të lirisë, z. Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve tjerë, është një veprim që nuk ndihmon proceset politike dhe demokratike në Kosovë, lëndon ndjenjat e popullit tonë në akuzat njolloseshe kundër luftëtarëve të lirisë dhe luftës sonë të drejtë çlirimtare”, tha Veseli.
Tutje, ai shtoi “që me të rënde këtë veprim e bën shëmtia e veprimit pa konsulencë me autoritetet shtetërorë të vendit tonë, që në vend të bashkëpunimit dhe koordinimit të mirëfilltë përçon mesazhe të mungesës së besimit dhe frymë-konfrontimit. Kjo, nuk e besoj se i shërben as Bashkimit Evropian, që në Kosovë po investon aq shumë në instalimin e klimës së demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të individëve, transmeton “lajm”.
"Të njëjtën kohë, një veprim i tillë ndaj figurave çlirimtare, mu në vigjilje të ndjeshmërisë emocionale të shqiptarëve për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, është veprim që përpos nënvlerësimit demonstrues ndaj kësaj feste dhe ndjenjave të shqiptarëve, si i tillë nuk përçon asgjë të mirë, edhe nëse ky veprim nuk ka pasur mesazh me qëllim të tillë. Për më tepër, arrestimi i njeriut, i cili do të shpallej qytetar nderi i Vlorës, në vendin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nuk do koment. Veprimi i fundit ka lënë paqartësi dhe mosbesim mes nesh, që nuk duhet të ndodhe dhe që duhet të riparohet me lirimin e tyre”, tha anëtari i PDK-së, Kadri Veseli, duke shtuar se “Kosova ka nevojë për ndihme dhe partneritet me BE -në dhe EULEX -in, por është urgjente instalimi i logjikës institucionale të respektit të ndërsjellë politik dhe institucional”./Indeksonline/