E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshi dhe i gjati

Diplomati i SalistanitAjo çka stonon që në fillim, është fakti që Ceka i ri ishte i pakënaqur me përshkrimin e Ramës mbi diplomatët e sotëm shqiptarë, si të paaftë, të politizuar e të nepotizuar; pikërisht ai, ilustrimi pikant i nepotizmit e politizimit në diplomaci

Nga Alqi Koçiko*

Deri pak kohë më parë, emri i Egin Cekës njihej për publikun e gjerë shqiptar, përveçse si djali i Neritan Cekës, si diplomati i Republikës së Shqipërisë në ambasadën tonë në Vjenë, që refuzoi të kthehej në atdhe pas mbarimit të detyrës sepse nuk donte e shoqja. Përballë atyre tendenciozëve që vinin në pah me ironi bindjet e thekura islame të Cekës junior apo kritikën me shkrim ndaj Papës, kishte po aq të tjerë që ishin të mendimit se bindjet dhe ritualet fetare të një diplomati a kujtdo tjetër, janë çështje personale dhe nuk ka pse përfliten. Ama përgjithësisht njerëzit bien dakord që Egin Ceka e kishte rifituar me këmbëngulje Vjenën, duke u emëruar në përfaqësinë tonë në UNOV-OSBE, jo sepse ministria e Jashtme u bind që potencialet e tij ishin të pazëvendësueshme në kryeqytetin austriak, por sepse ai është çuni i Neritanit. Dhe mesa duket, në raste të tilla merkatoja e diplomatëve funksionon njësoj si ajo e trajnerëve a futbollistëve me famë: Fjala vjen, Dejvid Bekam u kthye të luajë me PSG-në se e shoqja e pëlqen shumë Parisin.

Duhej të vinte incidenti i tërheqjes së veshit nga kreu socialist Edi Rama, që Egini të barazonte në famë edhe të atin, arkeologun dhe politikanin e njohur, tash ambasador në Romë. Le ta analizojmë pak këtë episod, që nisi si një ngjarje e padenjë për Edi Ramën dhe po përfundon si parodi qesharake (por shumë pak për të qeshur) për parlamentin dhe qeverinë e djathtë.

Që Egin Ceka iu afrua Ramës pas takimit në Akademinë Politike të Vjenës për ta provokuar apo për ti bërë seriozisht vërejtje, kjo pak rëndësi ka. Ajo çka stonon që në fillim, është fakti që Ceka i ri ishte i pakënaqur me përshkrimin e Ramës mbi diplomatët e sotëm shqiptarë, si të paaftë, të politizuar e të nepotizuar; pikërisht ai, ilustrimi pikant i nepotizmit e politizimit në diplomaci. Por padyshim, në këtë mes gafa e madhe ishte e kandidatit për kryeministër, që kurrsesi nuk duhej ta kishin lëshuar nervat dhe të kishte zgjatur duart, në çfarëdolloj forme (i kapi veshin, a i pickoi barcetat, a i ra me çokë, ska rëndësi) ndaj tij. Ndoshta ky rast do ti shërbejë për herë të tjera, por ndërkaq duket se Rama e ka kuptuar teprimin. Të cilin po përpiqet ta shfryjë sot, me inskenime të shkuljes së veshit të tij nga qytetarët në takime elektorale. Mund të quhet edhe një gjetje kjo për Ramën: Njëfarë kërkesë ndjese e transformuar me lezet në pjesë të skenografisë së fushatës, nën mesazhin, po, qytetarët e thjeshtë kanë të drejtë të më shkulin veshin nëse gaboj.

Duke lënë mënjanë notën urgjente të Egin Cekës drejtuar ministrisë së Jashtme, ankimin e tij tek babai Neritan dhe letrën e hapur (patetike, më e pakta) të këtij të fundit, ajo që ta thellon edhe më keqardhjen për këtë katandisje të politikës dhe punëve në këtë vend, është reagimi i mazhorancës: As më pak e as më shumë, një komision hetimor parlamentar për rastin Rama, që me kyt sjellje si ka bo, paskësh ofenduar jo vetëm Eginin dhe diplomacinë tonë, por mbarë shqiptarët. Hollë-hollë, problemi nuk është tek hetimi në vetvete, për të cilin edhe vetë demokratët me Berishën në krye mbajnë barkun me dorë nga gallata që po shkaktojnë; ata nuk kanë asnjë gajle të bëhen qesharakë e butaforikë, siç janë bërë me komisionet hetimore të grushtit të shtetit e shumë hetime të tjera. Kryesorja është ta marrë vesh bota, pra ndërkombëtarët, se çfarë soj njeriu është Rama kandidat për kryeministër.

Ama, se çfarë soj njeriu është kundërshtari Berisha në episode analoge, mjafton të kujtojmë ngjarjen e Beratit së fundi. Një grua, ish e persekutuar politike, deshi ta pyeste Doktorin për punësimet politike dhe nepotizmin, por e nxorrën jashtë me ceremoni ndërsa kryeministri veç buzëqeshte si Sfinksi. Nuk e di, ndoshta ishte provokatore socialiste.

Meqë më lart përmendëm sojin, edhe ky ishte një debat anësor që u hap me këtë rast. E hapi Neritan Ceka, kur i shkroi Ramës se ai dhe biri i tij janë familje sojlish dhe jo sojsëzësh, me prejardhje e lidhje nga gjysma e rilindasve e luftëtarëve të këtij vendi. Rikthimi i kësaj forme biografologjie, që të kujton sa trashëgiminë tonë otomane, aq edhe njollat e biografisë në regjimin e kaluar dhe që aplikohet sot rëndom për socialistët si bij të bllokut, është tentativë e dështuar për një luftë e re klasash. Sepse sot, njerëzit i kanë aq hapur sytë, sa ta dinë mirë se aq gjatë sa mund të krenohesh me të parët e tu fisnikë e atdhetarë, po aq shpejt mund tua nxish atyre faqen.

*Revista Klan 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›