E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja e Komisionit të Ligjeve dhe një paranojë e Berishës

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Një ngjarje e frikshme ka ndodhur me listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Njëmbëdhjetë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, nga katërmbëdhjetë që ka pasur gjithsej shumica, janë nxjerrë jashtë parlamentit, së bashku me Ilir Rusmalin në krye të komisionit. Ilir Rusmali, Enkelejd Alibeaj, Fatos Hoxha, Arenca Trashani dhe Viktor Gumi, si dhe emra të tjerë deputetësh nuk do të jenë më në parlament. Brenda pritshmërisë së listës fituese ka mbetur vetëm Dashnor Sula, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri. Bashkë me këta janë ndëshkuar dhe dy kryetarë komisionesh të rëndësishme, Fatos Beja, që drejtonte Komisionin e Jashtëm dhe Leonard Demi që drejtonte Komisionin e Sigurisë, Rendit dhe SHISH.

Këta deputetë nuk hyjnë tek deputetët disidentë të Berishës. Nuk kanë bërë gjeste politike kundër tij dhe as që kanë tentuar të përfshihen në ndonjë klan apo grupazh brenda partisë. Edhe me njëri- tjetrin nuk i bën dot bashkë. Alibeaj është jurist, shumë afër të persekutuarëve, Rusmali ka qenë pa diskutim më i afti i juristëve afër Berishës nga viti 1995, Trashani e Hoxha dy juristë partizanë të PD-së, Gumi një teknicien korrekt me PD, dhe pse vjen nga e majta. Pra, nuk kemi të bëjmë as me ndonjë grup në vetvete dhe as me ndonjë qëndrim disident të tyre kundër Berishës. Po ashtu është larguar nga lista e deputetëve të PD-së Leonard Demi, që ka kryesuar Komisionin e Sigurisë Kombëtare, i vetmi politikan i heshtur i PD-së, dhe i vetmi që nuk ka pasur kompleksin kurrë të thotë se mes rekomandimeve amerikane dhe këshillave të Berishës zgjedh gjithmonë ato të SHBA. Fatos Beja po ashtu një luajalist i vjetër i Berishës, që nga viti 1992, është larguar papritur, edhe pse Berisha bëri sikur u tall ta kishte kandidat për president një vit më parë.

Pra, kemi një largim cilësor nga listat e PD-së, të cilët i bashkon vetëm qenie në krye të tre komisioneve të rëndësishme dhe në tërësi në Komisionin e Ligjeve.

Për çfarë është shqetësuar realisht Berisha për këtë reprezalje? Është e pabesueshme, por e vërtetë, se këtë operacion spastrimi e ka rekomanduar Ministri i Brendshëm, i cili disa muaj më parë ka pasur një problem konkret përplasjeje me Komisionin e Ligjeve. Bëhej fjalë për një nga tre ligjet e famshme të paketës së integrimit, që kishte të bënte me statusin e nëpunësit dhe për të cilin, Ministria e Brendshme kishte çuar një projektligj që binte në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Administrative. Ky duket një konflikt i vogël për të bërë një reprezalje të tillë, por Ministri i Brendshëm ka arritur të bindë Berishën me një element shumë më të besueshëm për Berishën. Ai ka informuar Berishën se krerët e këtyre komisioneve dhe disa deputetë ndikohen nga disa diplomatë armiq në Tiranë për vonimin e miratimit të ligjit të integrimit dhe kështu ka justifikuar dhe paaftësinë e tij shembullore për të hartuar një ligj dhe ka ushqyer një paranojë të Berishës për frikën që ka se diplomatët e huaj i kapin bashkëpunëtorët e tij në pushtet. Fakti që nga i gjithë komisioni kanë shpëtuar Paloka, Strazimiri dhe Sula, të cilët e kanë tepruar me të qenit më shumë besnikë, duket qartë se tek Berisha ka zënë vend një paranojë se ky komision ka qenë rezistent ndaj dëshirave të tij për reforma ligjore dhe mbështetje të veprimeve politike të qeverisë. Më sinjifikativ është përjashtimi i Demit dhe Bejës, të cilët kanë qenë luajalë me Berishën, por dhe shumë bashkëpunues me të huajt në pozicionin e tyre parlamentar.

E gjithë kjo ka krijuar një përshtypje tek diplomatë të huaj në Tiranë se brenda Partisë Demokratike po rikrijohet një frymë anti-perëndimore dhe izolacioniste, e cila synon të mbajë larg ndikimit mbi pushtetin e Berishës diplomatët e huaj dhe sidomos ata amerikanë. Aq larg ka shkuar kjo paranojë, sa listat janë spastruar nga deputetë luajalë me Berishën, por me një formim profesional, i cili në kushtet e nevojës për një ekip kamikazësh është i rrezikshëm. Në vend të tyre kanë hyrë njerëz ordinerë, shërbëtorë të rëndomtë të fëmijëve të Berishës dhe aleatë apo deputetë socialistë, të cilët nuk kanë ku shkojnë më.

Kjo tkurrje e Berishës në guaskën e një paranoje kaq të madhe, është një shenjë se ai po bëhet gati të përballet me një presion ndërkombëtar kundër prekjes së zgjedhjeve, përmes një plani që synon të çojë mandatet me të cilat është në avantazh opozita në Kolegj Zgjedhor dhe pastaj të përdorë kamikazët e mbetur në grup parlamentar për një betejë besnikësh kundër Perëndimit. Ajo që po ngjizet brenda PD-së nuk është një anti-amerikanizëm klasik, por një përpjekje për të ruajtur pushtetin e Berishës, i cili duket se mund të rrezikohet nga një vëmendje e madhe amerikane dhe perëndimore për zgjedhjet. Ai po përgatitet për të mos u dorëzuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›