E Diel, 1 Nëntor 2026

Vështirë për Trepçën e Hysin

Të dielën do të zhvillohen katër ndeshjet e kthimit çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll dhe dy takimet më interesante do të jenë ato mes Lirisë e Hysit dhe Gjilanit e Trepçës.

Liria në ndeshjen e parë si mysafire e Hysit ka pësuar disfatë me rezultat 3:2. Por, falë dy golave që i kanë shënuar si mysafirë në ndeshjen e parë, prizrenasit shpresojnë që ta shkrijnë avantazhin e një goli të Hysit dhe të kualifikohen në gjysmëfinale.

“Pres angazhim edhe më të madh të futbollistëve të mi. Natyrisht, edhe përkrahjen e publikut. Jemi komplet dhe synojmë përmbysjen e rezultatit nga ndeshja e parë dhe kalimin në gjysmëfinale”, ka thënë kryetrajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali, për ueb faqen zyrtare të klubit.

Por, edhe trajneri i Hysit, Hysni Maxhuni, beson se ekipi i tij do ta shfrytëzojë epërsinë nga ndeshja e parë dhe të kualifikohet në gjysmëfinale.

“Neve na konvenon përveç fitores edhe një barazim eventual për kualifikim. Por, ne do të hyjmë në këtë ndeshje për fitore. Nga djelmoshat e mi pres angazhim maksimal, për të dëshmuar se me meritë kemi fituar në ndeshjen e parë dhe me meritë po kualifikohemi”, deklaroi Maxhuni për Express, i cili në këtë takim nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Enis Zabërxhës dhe të Bashkim Ahmetit.

Ndërsa edhe Gjilani synon ta përmbysë epërsinë e Trepçës nga ndeshja e parë (3:2) dhe të kualifikohet në garat e mëtutjeshme.

“Rezultati nga ndeshja e parë nuk është i keq për ne. Jemi përgatitur dhe jemi të motivuar për ndeshjen e kthimit dhe, me ndihmën e publikut, shpresojmë të kualifikohemi. Kemi respekt për Trepçën, por respektin më të madh do t’ia bëjmë kësaj skuadre nëse luajmë fort”, tha për Express trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti.

Kurse trajneri i Trepçës, Nazmi Rama, është i bindur se skuadra e tij do ta tejkalojë me sukses këtë pengesë.

“Ne në Gjilan do të shkojmë për fitore. Në çdo ndeshje kampionate, por edhe për Kupë, do të hyjmë për fitore, sepse ne duam t’i fitojmë të dy trofetë. Unë jam i bindur se me sukses do ta tejkalojmë këtë pengesë dhe do të kualifikohemi, ngase nuk do t’i përsërisim gabimet sikurse në ndeshjen e parë”, pohoi Rama.

Interesant pritet të jetë edhe takimi ndërmjet dy skuadrave kuq e zi, Drenicës e Vëllaznimit. Gjakovarët kanë fituar në ndeshjen e parë ndaj drenicasve me rezultat minimal 1:0. Vëllaznimi do të mundohet ta shfrytëzojë këtë avantazh për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Por, me eliminim, vështirë se do të pajtohet Drenica. Vendasit nga minuta e parë do të përpiqen të shënojnë gola për ta kërkuar kualifikimin.

Besa me një këmbë veç është kualifikuar në garat e mëtutjeshme, sepse në ndeshjen e parë e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 2:0. Andaj ekipi nga Suhareka do ta ketë të vështirë të bëjë kthesë të madhe të rezultatit.

Ndeshjet e kthimit çerekfinale të Kupës
E diel
Liria – Hysi (2:3)
Drenica – Vëllaznimi (0:1)
Gjilani – Trepça (3:4)
Ballkani – Besa (0:2)
Të gjitha takimet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›