E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lodhur nga hotelet

Çfarë do të bënit nëse ju grabitet shtëpia në Gjermani, nëse e keni gruan shtatzënë dhe nëse jeni të frustruar të jetoni jetën me valixhe nëpër hotele? Gjitha këto i kanë ndodhur futbollistit të ri të Swansea Cityt, i cili megjithatë i ka kapërcyer disi këto probleme, për ta filluar jetën e tij të re në Liberty Stadium.

Ai realizoi dy gola në katër fitoret e fundit të ekipit të tij. Menaxheri Paulo Sousa, përforcimin me Kuqin mund ta konsiderojë si më të fortin që kur ka ardhur te ky ekip. Mirëpo, për vetë Kuqin jeta në Angli kishte pjesën e ngritjes dhe të zbritjes. Ai ndihet i frustruar, por kjo nuk ka të bëjë me ekipin e tij Swansea. Derisa po rikthehej nga ndeshja me Watford muajin e kaluar, Kuqi ka mbetur i shokuar kur i kishte telefonuar vëllai i tij, Njaziu, që i kishte thënë se shtëpia e tij në Gjermani ishte grabitur.

Hajnat i kishin vjedhur gjëra të ndryshme personale, ndërsa policia gjermane është vënë në ndjekje të tyre. Me gruan e tij Xhulieta, Kuqi e pret fëmijën e parë në qershor. Ai është në kërkim të një baze afatgjate për familjen e tij, por duket se më lehtë është të thuhet kjo sesa të bëhet.

“Për momentin jam duke jetuar në një hotel. Jam duke u munduar t’i organizoj gjërat në mënyrë që të largohem nga hoteli, ngase gruan e kam shtatzënë dhe kam nevojë për shtëpi timen. Të gjitha gjërat në vetëm një dhomë, kjo nuk është ideale. Një numër i madh njerëzish mendojnë se është bukur të jetosh në hotel, por pjesa më e madhe e futbollistëve do të ishin dakord nëse them se është një makth”, theksoi Kuqi për ueb faqen walesonline.co.uk.

Sa i përket grabitjes, ai thotë se i janë marrë një numër i madh i gjësendeve personale. “Unë kam një ndjenjë të çuditshme sepse ata (hajnat) morën vetëm një pjesë të gjësendeve – orë, kompjuter lap-top dhe stoli të gruas sime. Është gjithçka e çuditshme sepse ata kanë lënë pa marrë shumë gjëra me vlerë. Ky moment nuk ishte i lehtë për mua, sepse nuk më kishte ndodhur një gjë e tillë më parë. Është një situatë jo e pëlqyeshme, por për fat gruaja ime ishte këtu me mua”, tha ai.

Modestia është njëri prej kualiteteve që e veçon sulmuesin kosovar. Ai flet pak dhe sukseset i arrin në fushë. Për këtë meritë kanë bashkëlojtarët dhe menaxheri Paolo Sousa.

“Unë kam arritur këtu vetëm 4 javë më parë, por ndihem se jam këtu që 4 vjet. Është një ambient me të vërtetë i mirë dhe kur je pjesë e një grupi si ky, të ndihmon që gjërat tjera të bëhen të lehta”, u shpreh 33 vjeçari, i cili e di se puna e tij është që ta ndihmojë Swansean që të ngrihet në Premierligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›