Vështirësi në PDK
Hashim Thaçi ka lidhur marrëveshje zyrtare për ndarje të pushtetit me partnerët e koalicionit, por ende nuk është i gatshëm të dalë para votave të Kuvendit të ri të Kosovës për shkak se akoma nuk i ka caktuar emrat e ministrave nga radhët e PDK’së.
Megjithëse lideri i PDK’së është i mandatuar nga partia e tij që vetë të vendosë për emrat e ministrave, mbrëmë, në mbledhjen e Kryesisë kjo çështje nuk është përmbyllur.
Gjithashtu, burime të gazetës Express thonë se në Grupin parlamentar të PDK’së ende nuk janë siguruar të gjitha votat për kandidatin për president, Behgjet Pacollin e AKR’së.
Mirëpo, zyrtarë të PDK’së deklarojnë se në mbledhjen e mbrëmshme nuk është hapur tema e emrave të ministrave, por takimi është përqendruar “në disa procedura”.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi ka thënë se takimi i Kryesisë do të vazhdojë sot në mëngjes, disa orë para fillimit të seancës inauguruese të Parlamentit.
“Është biseduar, por asgjë konkrete nuk është vendosur. Nesër jemi marrë vesh konkretisht me bisedu. Nuk është biseduar për emrat e ministrave, më shumë është biseduar për disa procedura sesa për emra”, ka thënë Krasniqi për Express.
Krasniqi thotë të mos jetë në dijeni nëse ka ndonjë mospajtim brenda PDK’së rreth ndarjes së posteve ministrore.
“Me të thënë të drejtën, me sa di unë, mund të ketë ndonjë që unë nuk e di, por nuk është biseduar. E kemi lënë për mbledhjen e nesërme të bisedojmë edhe një herë dhe pastaj me i këqyrë procedurat”, ka thënë ai.
“Na duhet sqarim i disa procedurave për nesër”, ka shtuar Krasniqi, pa treguar se për çfarë procedurash bëhet fjalë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...