E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijoni Qeveri të fortë

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, Thomas Countryman ka festuar bashkë me shqiptarët në SHBA trevjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ai ka porositur liderët kosovarë që të formojnë Qeveri të fortë, e cila e shpie vendin drejt integrimeve euroatlantike. Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 08:30

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Aaerikan, Thomas Countryman, i cili ditë më parë ka vizituar Kosovën, ka festuar së bashku me shqiptaroamerikanët trevjetorin e pavarësisë në SHBA dhe ka porositur që Kosova të formojë një qeveri të fortë.

Thomas Countryman ka folur para të pranishmëve në këtë festë për zgjedhjet dhe konstituimin e institucioneve të reja të shtetit të ri, pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Kosova sapo kaloi një fushatë zgjedhjesh aspak të lehtë, fushatë joperfekte, por që gjithsesi përmbush standardet demokratike që ne presim nga miqtë tanë. Me formimin e Qeverisë së re, javën e ardhshme, Kosova do të hyjë në një periudhë të punës së rëndë dhe përplot sfida. Ky moment përurimi që vjen pas fushatës së zgjedhjeve dhe para fillimit të punës është më se i mirëseardhur dhe unë e përgëzoj popullin e Kosovës në përvjetorin e pavarësisë”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Ai po ashtu lexoi para shqiptarëve dy paragrafë nga letrat e presidentit amerikan, Barack Obama dhe sekretares Hillary Clinton drejtuar popullit të Kosovës në ditën e pavarësisë.

“Presidenti Obama tha se tani është koha e reflektimit në rrugëtimin e mundimshëm dhe të gjatë të Kosovës për pavarësinë e saj dhe të drejtohemi përpara në ardhmërinë e sigurt dhe prosperuese për gjithë qytetarët e saj dhe se kam besim se miqësia mes dy popujve tanë do të vazhdojë të forcohet në vitet para nesh.

Ndërsa sekretarja Clinton në fjalën e saj tha se ‘në vizitën time Kosovës, nëntorin e kaluar, u impresionova shumë nga premtimi i një vendi aq të ri, nga dinamika e rinisë kosovare që përfaqëson ardhmërinë e Kosovës, në qasjen e tyre proaktive në bashkëpunim me shoqërinë civile për ndërtimin e institucioneve demokratike, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe promovimin e sundimit të ligjit’”, ka thënë Countryman.

Sipas RTV21, ai ka thënë se sot është momenti i duhur i liderëve të zgjedhur të Kosovës për vendosjen e qeverisjes së mirë dhe transparencës së plotë, të dyja këto kategori esenciale për të përmbushur integrimet euroatlantike.
“Kjo është e domosdoshme për një stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet të Kosovës. Që t’i përmbledh këto dy porosi në mënyrë më zyrtare, do të thosha: Urime për arritjet kolosale në këto kohë mjaft delikate dhe gjithashtu ju them që në këtë kohë të vështirë duhet të punoni edhe më shumë. Ardhmëria e Kosovës varet nga hapat që do t’i marrë Qeveria e re javën e ardhshme”, shtoi ai.

Më tutje, Countryman është shprehur se duhet të jetë e qartë se çka e përcakton suksesin e Kosovës në të ardhmen e saj.

“Nuk është ai dialogu me Serbinë, edhe pse dialogu është i rëndësishëm dhe s’do mend se do të sjellë rezultat për qëllimet tona të përbashkëta: sovranitetin e plotë të Kosovës, integritetin dhe njohjen ndërkombëtare të saj. SHBA’ja do të jetë krah për krah me Kosovën në çdo hap të dialogut aspak të lehtë. Suksesin e Kosovës në të ardhmen nuk do ta përcaktojë as Bashkimi Europian, edhe pse ai mbështet dhe përkrah qëllimet tona të përbashkëta, Kosovës dhe SHBA’së, shumë më tepër sesa disa mendojnë, as edhe pse BE’ja ka qenë shumë gjeneroze në ndihmën e saj popullit të Kosovës gjatë viteve që lamë pas. Nuk është as miqësia e SHBA’së ajo që do ta përcaktojë suksesin e Kosovës, edhe pse askush nuk mund ta vërë në pyetje dhe asgjë nuk mund ta trazojë thellësinë e miqësisë së SHBA’së dhe Kosovës për njëri-tjetrin”.

Suksesin e Kosovës, siç tha ai, e përcakton vendosmëria e Qeverisë së re të Kosovës për t’i trajtuar çështjet e rendit dhe ligjit, të promovojë funksionimin demokratik dhe transparent të qeverisjes dhe të krijojë mundësi më të mira ekonomike për gjithë qytetarët e vet.

“Kjo pra determinon suksesin e Kosovës”, ka thënë Countryman, duke vënë në pah se mbi të gjitha është vendosmëria e popullit të Kosovës për ta kuptuar se demokracia nuk kryhet me përfundimin e zgjedhjeve, por ajo kërkon pjesëmarrje të vazhdueshme dhe vigjilente të qytetarëve në proceset demokratike dhe gjithsesi vendosmërinë e qytetarëve në kërkesat e tyre për veprime të drejta dhe të mirëfillta nga Qeveria.

“SHBA’ja për jetë do të jetë krenare për rolin e vet që kanë luajtur për pavarësinë e Kosovës si dhe për mbështetjen që kemi bërë gjatë tri viteve pas pavarësisë. Kam besim të plotë te populli i Kosovës se në tri vitet e ardhshme Kosova do të jetë shumë më mirë dhe më e fortë. Urime dhe faleminderit për përkrahjen”, ka thënë veç të tjerash zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›