E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirësitë në buxhet, rishikohen shpenzimet korente

Shkurtimi i shpenzimeve administrative dhe rishikimi i shpenzimeve korente janë parë si dy rrugë dalje të qeverisë, për përmirësimin e deficitit buxhetor dhe dalje nga gjendja e vështirë financiare. Me një vendim të veçantë Këshillimi i Ministrave miratoi dje rishpërndarje fondesh, për shpenzime korente, ndërmjet programeve, brenda buxhetit të vitit 2010,

miratuar për ministrinë e drejtësisë. Sipas vendimit mësohet se rishpërndarjen e fondeve, për shpenzime korente, ndërmjet programeve, brenda buxhetit të vitit 2010, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë. Sipas të njëjtave burime mësohet se programit Planifikim, menaxhim dhe administrim ti shtohet fondi 13 500 000 lekë, ndërkohë që programit të Publikimeve zyrtare ti pakësohet fondi 500 000 (pesëqind mijë) lekë. Nga ana tjetër programit të Sistemit të Burgjeve i pakësohet fondi 3 500 000 lekë. Një tjetër sektor që do të preket nga shkurtimi i fondeve është programi i shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor në masën 2 milionë lekë. Sipas vendimit të qeverisë programit të Shërbimit për Çështjet e Birësimeve ti pakësohet fondi 1 milion lekë dhe programit të Shërbimit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ti pakësohet fondi 1 500 000 lekë. Një tjetër zë që do të preket nga shkurtimet është edhe programi i Shërbimit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilit i pakësohet fondi me  2 milionë lekë. Në vendim mësohet se programit të Shërbimit të Provës ti pakësohet fondi 3 milionë lekë.

Leku zhvlerësohet ndaj euros
Monedha kombëtare ka humbur disa pikë ndaj monedhës së përbashkët Evropiane. Sipas kursit të këmbimit euro blihet me 134.60 lekë dhe shitet me 137.60 lekë. Ndërkohë tregjet evropiane u mbyllën në rënie ditën e sotme, për shkak të shqetësimeve mbi fuqinë e rritjes ekonomike, pasi shitjet e shtëpive të reja në SHBA shënuan një rënie rekord. Sektori i lëndëve të para dhe bankat realizuan dhe performancën më të dobët për sot që cilësohet edhe asetet me risk të lartë. Indeksi pan-European FTSEurofirst 300, i aksioneve kryesore evropiane u mbyll në rënie me 1%, ndërsa analistët parashikojnë që edhe në ditët e ardhshme bursat do të vazhdojnë të shënojnë rënie, në pritje të ndonjë sinjali pozitiv mbi ekonominë globale. Sektori bankar ra sesionin e djeshëm, pasi të dhënat mbi shitjen e shtëpive në SHBA ishin tepër zhgënjyese. Ne parashikojmë që tregjet do të vazhdojnë në rënie edhe javën e ardhshme, në pritje të ndonjë sinjali pozitiv, shprehet Christian Stocker, strateg në UniCredit Global Research me qendër në Munich. Sektori minerar u mbyll në rënie, ndërsa gjatë ditës u rrit pasi kryeministri i Australisë, konfirmoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, duke i dhënë një sinjal investitorëve se taksa e propozuar mbi kompanitë minerare, mund të mos zbatohet. Anglo American, Antofagasta, BHP Billiton, Eurasian Natural Resources Corporation, Rio Tinto dhe Xstrata humbën nga 1.6 deri në 2.7 %. Edhe bankat u mbyllën në rënie. Banco Santander, Barclays dhe HSBC ranë nga 1.1 deri në 2.8%.

Nafta bie për sesionin e dytë
Çmimet e naftës ranë për ditën e dytë rresht të mërkurën, pasi një raport industrial tregoi rritje të papritur të depozitave amerikane të naftës bruto dhe të benzinës, ndërsa shifrat e shitjeve të dobëta të shtëpive në SHBA i shtynë edhe më poshtë aksionet dhe e shterën oreksin për risqe. Tregjet në botë ranë, pas një raporti që tregoi të martën se shitjet e shtëpive ekzistuese ranë papritur në SHBA për muajin maj. Edhe tregjet në Azi ranë, pasi avulloi efekti pozitiv i vlerësimit të monedhës kineze. Nafta bruto amerikane për gushtin ra 49 centë në 77,36 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e korrikut skaduan të mërkurën. Çmimet kanë ndryshuar pak për këtë javë, pasi dy ditë më parë ato prekën 79 dollarët, prej vendimit të Kinës për ta bërë më fleksibël normën e këmbimit të juanit. Nafta Brent e Londrës ra 35 centë në 77,69 dollarë për fuçi. Depozitat e naftës në SHBA u rritën me 3,7 milion fuçi javën e kaluar, tregoi raporti i Institutit Amerikan të Naftës, API, ndërsa depozitat e benzinës u rritën me 810 mijë fuçi. Distilatet u rritën me 1,1 milion fuçi, këto të fundit pak a shumë në linjë me parashikimet e analistëve.

Britania bën gati buxhetin e ri
Ministri i Financave britanike, George Osborne, prezantoi buxhetin më të ashpër në disa dekada. Buxheti i ri përmban ulje drastike të shpenzimeve. Rritje të taksave dhe një taksë mbi bankat. Synimi i këtyre masave është ulja e deficitit buxhetor, që aktualisht është në nivel rekord. Sipas përpiluesve të buxhetit në 5 vitet e ardhshme efektet e masave do ta çojnë deficitin në zero. Ministri 39 vjeçar i financave, tha se në 4 vitet e ardhshme shpenzimet qeveritare do të bien me 25%, taksa mbi vlerën e shtuar do të rritet nga 17.5% në 20% në vitin e ardhshëm dhe taksa mbi bankat, që do të ketë efekt në të njëjtën periudhë, do të sigurojë mbi 2 miliardë paund. Osborne tha se përpilimi në këtë formë i buxhetit, ishte një vendim i vështirë por i ndershëm. Sipas vlerësimeve të tregjeve taksa mbi bankat do të kushtojë për industrinë midis 1 deri në 5 miliardë paund dhe kjo do të varet nga struktura dhe nga shkalla e saj. Në buxhet parashikohet gjithashtu rritja e nivelit të dyshemesë për taksën mbi të ardhurat në mënyrë që të përjashtojë përfshirjen në këtë taksë të shtresave të varfra. Pikë tjetër është edhe rënia me 1 pikë në 27% e taksës mbi korporatat dhe Ministri i Financave tha se taksa për korporatat do vazhdojë të bjerë.

Stoqet amerikane regjistrojnë humbjen e radhës
Stoqet amerikane ranë më tepër se 1 për qind në një tjetër valë shitjesh të çastit të fundit të martën, pasi shifrat e papritura të shitjeve të shtëpive dhe thyerja e një niveli kyç teknik e shteruan interesin për të blerë në tregje. Stoqet u tregtuan disi në një sesion me vëllim të ulët, deri në momentin kur treguesi S&P 500 ra poshtë nivelit të mesatares 200-ditore, e cila ka qenë pikë mbështetjeje në ditët e fundit. Aksionet e kompanive të ndërtimit të shtëpive ranë, pasi Shoqata Kombëtare amerikane e Imobiliareve raportoi se shitjet e shtëpive ekzistuese ranë në muajin maj, lajm ky në vazhdën e disa publikimeve të dobëta ekonomike. D.R. Horton ra 2,9 për qind, dhe po aq ra edhe ndërtuesi i shtëpive luksoze Toll Brothers. Indeksi i ndërtimit i Morgan Stanley-t ra 2,6 për qind. Indeksi mesatar industrial Dow Jones humbi 1,43 për qind, indeksi S&P 500 ra 1,6 për qind, dhe indeksi i përbërë Nasdaq ra 1,19 për qind.

Last Updated on E Merkure, 23 Qershor 2010 20:32

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›