Topi merr pjesë në samitin Muzika si metaforë e dialogut kulturor
Topi theksoi se në këtë samit të korridoreve kulturore me temën e spikatur Muzika si metaforë e dialogut kulturor, që mbahet këtu në Stamboll, qytetin simbol të pranisë së civilizimeve të hershme, korridori ynë muzikor është një ndër korridoret historike të komunikimit që ka mbetur i pakushtëzuar mes nesh dhe ai asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka qenë i mbyllur. Ky korridor shpirtëror, në pamje të parë i padukshëm, por i mrekullueshëm, shumëngjyrësh, shumëformësh, shumëzërësh dhe i larmishëm, i krijuar nga popujt tanë prej mijëra vitesh, i mbajtur gjallë prej gjuhës së kënduar, valleve dhe veglave muzikore, gjithmonë ka ekzistuar dhe na ka mbajtur të lidhur edhe në kohët më të vështira, kohë kur arsyeja mungonte dhe vendin e saj e kishte zënë gabimisht forca, u shpreh presidenti Topi. Provë e qartë e kësaj kurore vlerash të krijuar nga popujt tanë shtoi më tej ai, është edhe fakti se rajoni ynë ka të njohur tashmë botërisht përmes UNESCO-s, një listë dinjitoze të Kryeveprave të trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit. Janë këto kryevepra muzikore artistike popullore si Isopolifonia popullore shqiptare, dhe të tjera të popujve dhe kombeve tona, të cilat janë shndërruar realisht në stacione të korridorit tonë kulturor ndër-rajonal të komunikimit, tashmë përmes muzikës sonë si trashëgimi shpirtërore e përbashkët, cilësoi ndër të tjera kreu i shtetit. Më tej në fjalën e tij presidenti Topi theksoi se Republika e Kosovës përbën një shembull dhe për brezat që do të vijnë dhe nuk duhet të mbetemi peng i së kaluarës politike, por të bëhemi pjesë e të ardhmes së përbashkët nëpërmjet mbështetjes së shpirtit të tolerancës dhe lëvrimit të trashëgimisë që i bashkon popujt drejt fatit të tyre të paevitueshëm. Të nderuar presidentë, në pentagramin muzikor të rajonit tone nota e Kosovës është sa e kërkuar aq edhe e nevojshme për veshët dhe mendjet jo vetëm të popujve tanë, por edhe të institucioneve drejt të cilave ne kemi vendosur të shkojmë duke i pasuruar ato me vlerat dhe trashëgiminë tonë për të cilën duhet të jemi të gjithë krenarë, cilësoi presidenti Topi. Në fund të fjalës së tij kreu i shtetit u shpreh se besonte më shumë në forcën e shpirtit njerëzor, sesa në forcën fizike të trupit sepse forca e shpirtit e shprehur përmes muzikës, është një nga pasuritë e arta që popujt tanë kanë krijuar në qindra vjet
Skena gjermane pret Allegreto Albania
Skena teatrore gjermane do të presë këto ditë dhe një vepër shqiptare. Festivali teatror Vizabaden-Festival, që zhvillohet këto ditë në Gjermani pret dhe dramën shqiptare Allegreto Albania. Pas suksesit që ka pasur në skenat teatrore mbarëshqiptare, por dhe në disa festivale teatrore jashtë vendit shfaqja Allegreto Albania do të përfaqësojë Shqipërinë në një prej festivaleve më të mëdha teatrore që zhvillohen prej disa vitesh në Gjermani në festivalin teatror Vizabaden-Festival ish Bienalja e Bonit. Me regji të Altin Bashës shkruar nga dramaturgu i njohur Stefan Çapaliku për publikun do të jetë një trupë e njohur aktorësh si Mirush Kabashi, Olta Daku etj. Basha- Çapaliku në këtë vepër teatrore ngrenë në këmbë historinë e një kryefamiljari i ngujuar me familjen për shkak të një krimi që nuk e ka kryer vetë, por për të cilin duhet të përgjigjet në bazë të ligjeve të Kanunit. Duke iu referuar kritereve të Kanunit, tek kryefamiljari lindin dilemat: A është ai më i zoti i fisit të tij? Në këtë situatë përzihet edhe një OJQ e huaj, e cila në emër të asistencës humane nuk merret me zgjidhjen e problemit, por dhuron për familjen e ngujuar pampers dhe një aparat radiografie. Shto këtu edhe rolin e medias në dramën e familjes. E ndërkohë për vetë temën që ajo trajton kjo vepër është pritur shumë mirë dhe në skenën kosovare, pas suksesit që ajo pati në skenën e Teatrit Kombëtar.
Java e Çamërisë, me aktivitete kulturore
Në kujtim të 27 qershorit, ditës së njohur si dita e genocidit karshi popullsisë shqiptare çame në kryeqytet ka startuar dhe Java e Çamërisë. Një aktivitet i larmishëm u prezantua si fillim të këtyre ditëve, të cilët do të mbledhin shumë artistë shqiptarë, mes tyre ishte i ftuar nderi edhe z. Adem Demaçi. Në kuadër të këtyre ditëve aktiviteti i parë që hapi këtë javë kushtuar Javës së Çamërisë ishte ai që u zhvillua në mjediset e Shtëpisë së Oficerëve para dy ditësh në orën 18.30. Në program veç të tjerave u prezantua edhe Balada Çame, një këngë me vargjet e Bilal Xhaferrit, kompozuar nga Edmond Zhulali. Të gjitha këto aktivitete janë konfirmuar dhe nga zyra e shtypit të Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), e cila ka si një nga pikat kryesore të programit dhe statutit të saj, mbrojtjen e çështjes çame.