E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 10 ditë afat për posterët

Komisioni për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës është pajtuar që vendimet e Komisionit Qendror Zgjedhor të merren me 2/3 e votave dhe gjithashtu ka vendosur që të dënohen subjektet politike dhe individët të cilët, pas certifikimit të rezultateve, nuk i heqin posterët.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli ka thënë se disa propozime të KQZ-së u aprovuan, siç ishte propozimi lidhur me vendimet të cilat nevojitet 2/3 e votave, kurse për disa tjera është vendosur që të zgjidhen me ligj.

Vendimet me 2/3 e votave do të merren për certifikimin e listave zgjedhore, pastaj certifikimin e rezultateve si me rregulloren e punës së tyre.

Gjithashtu, ai ka thënë se është vendosur edhe për dënimet që i presin subjektet politike dhe individët që pas certifikimit të rezultateve nuk i heqin posterët e tyre.

“Pika tjetër e rendit të ditës është sanksionimi i subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre lidhur me heqjen e posterave, sepse, siç e dini, një risi në ligjin e ardhshëm do të jetë afati dhjetë ditor për heqjen e posterave dhe materialit tjetër zgjedhor dhe komisioni u pajtua që si sanksione të parashihen për subjektet politike prej 500 deri në 2 000 euro, kurse për individ prej 200 deri në 1 000 euro”, ka thënë Demolli.

Edhe anëtarja e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se është pajtuar për disa çështje që kanë të bëjnë me vendimet e KQZ-së, ndërsa ka propozuar që kuorumi në mbledhjet e KQZ-së të jetë prej 8 anëtarëve, propozim ky me të cilin janë pajtuar edhe anëtarët e tjerë.

“Ne kemi pranuar disa rekomandime nga KQZ-ja në lidhje me kuorumin në mbledhjet e KQZ-së, vendimet të cilat duhet të aprovohen në KQZ me 2/3 dhe unë kisha një propozim që kuorumi në mbledhjet e KQZ-së të jetë prej 8 anëtarëve, i cili nuk u kundërshtua prej subjekteve tjera dhe u pranua dhe u vendos që tani e tutje në mbledhjet e KQZ-së të mbahen kuorumet prej 8 anëtarëve. Konsideroj se është e palogjikshme që po të ishte me 7 anëtarë një vendim do të merrej me katër vota kështu që kjo nuk është e logjikshme”, ka theksuar Haxhiu.

Gjithashtu Haxhiu ka propozuar që çështja e kryeshefit ekzekutiv të përcaktohet me dispozitë ligjore, pasi siç ka thënë ajo kjo është e pamundur t’i lihet KQZ-së me udhëzim administrativ.

Është përfolur në media se anëtarja Haxhiu do të braktis punën në këtë komision, por vet ajo ka deklaruar që nuk do të braktis punën dhe do të vazhdoj të qëndroj në komision, edhe pse ka thënë se ka vërejte për punën që ka bërë deri më tash ky komision.

“Unë e kam kundërshtuar qasjen e komisionit deri tani dhe punën që ka bërë deri më tani, pasi që shumë nga çështjet që janë diskutuar janë marr vendime pa u shtjerr debati. E kam thënë edhe njëherë dhe po e përsëris prapë, për shumë çështje që kanë të bëjnë me listën e votuesve, certifikimin e subjekteve politike dhe regjistrimin e tyre nuk e marrin parasysh kërkesat e zyrës për regjistrimin e partive politike dhe gjithashtu për listën e votuesve dhe për shumë çështje tjera është vendosur pa u shtjerr debati”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, ajo ka kërkuar që procesi i numërimit të bëhet ndryshe nga si është tani. Sipas saj, procesi i votimit të bëhet në mënyrë biometrike dhe jo siç ka qenë deri më tani me sprej dhe llampa, pasi që konsideron se nuk ka funksionuar mirë.

Haxhi ka kërkuar që edhe procesi i numërimit të bëhet në qendrat ku ekzistojnë kamerat, edhe pse këtë gjë, sipas saj, është duke e kundërshtuar partia në pushtet. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›