E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priten zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj

Pas vendimit të Gjykatës sipas ligjit në fuqi për Vetëqeverisje lokale kryetari i Komunës nëse nuk jep dorëheqje shkarkohet dhe Ministria e Pushtetit Lokal i kërkon presidentes shpalljen e zgjedhjeve në atë komunë.

Qytetarët e Komunës së Ferizajt këtë vit duhet t’i drejtohen sërish kutive të votimit për zgjedhjen e kryetarit të kësaj komune. Kjo pasi që kryetari i tyre është shpallur fajtor nga Gjykata dhe ligjërisht ai nuk mund të ushtrojë më detyrën e kryetarit.

Zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal që sipas ligjit në fuqi duhet t’i kërkojnë presidentes shpalljen e zgjedhjeve në Ferizaj nuk kanë komentuar çështjen e zgjedhjeve. Sipas tyre vendimi i Gjykatës nuk është publikuar akoma nga organi gjyqësor.

Florian Dushi anëtar i Komisionit Qendror shpjegon rrugën ligjore që mbetet për t’u ndjekur në këtë rast.

"Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale mandati i kryetarit të komunës përfundon në rastet kur gjykata shpall një vendim për dënim me burgim për 6 muaj ose më shumë. Pas kësaj është në kompetencën e presidentes së vendit të shpall zgjedhjet të cilat sipas ligjit për zgjedhjet lokale duhet mbahen brenda 30 deri në 45 ditëve. Pas kësaj është në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të organizoj dhe mbaj këto zgjedhje”, ka thënë Dushi.

Ndërsa Bajrush Xhemaili nuk ka komentuar vendimin Gjykatës.

Komuna e Ferizajt është e dyta me radhë pas asaj të Istogut në të cilën duhet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por, për dallim prej të parës ku zgjedhjet janë bërë për shkak të vdekjes së kryetarit, zgjedhjet në Ferizaj bëhen për shkak të një vendimi gjyqësor. /rtk/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›