E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 35 mijë lindje brenda një viti

Ulet lindshmëria në vend, rritje të aborteve, përdorim i pakët i metodave kontraceptive

Për sa i takon numrit të lindjeve, dëshirës për të pasur fëmijë dhe planifikimit familjar, shqiptarët nga dita në ditë po ngjajnë edhe më shumë me europianët. Një pjesë e statistikave demografike e pohojnë këtë fakt, duke sjellë në “ndihmë” analizën krahësimore me të dhënat e para 15 vjetëve. Konkretisht, sipas studimit demografik, në vendin tonë kemi një ulje të numrit të lindjeve krahasuar me vitet ’90, ndërkohë që metoda më e përdorur për ndërprerjen e një shtatzënie të padëshiruar mbetet aborti. Kemi një rritje të përdorimit të kontraceptivëve, rreth 3 për qind krahasuar me vitet e fundit, kryesisht në çiftet e martuara dhe përdorim shumë i ulët e metodave bashkëkohore të kontraceptivëve.

Nga 3.3 fëmijë që llogaritej lindshmëria në vitet ‘93-‘95 ka rënë në 1.6 fëmijë në vitet 2006, 2008. Studimet e fundit përllogarisin të kemi vetëm 35 mijë lindje në vit në rang kombëtar. Sipas studimit demografik dhe të dhënave të fundit rezulton se çiftet në vendin tonë shpesh janë të prirur drejt karrierës. Kështu, në një pjesë të rasteve, evidentohet gjetja e zgjidhjes në ndërprerjen e shtatzënisë së padëshiruar nëpërmjet abortit. Ministria e Shëndetësisë dhe USAID kanë nisur një fushatë sensibilizimi për rritjen e përdorimit të metodave kontraceptive bashkëkohore për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara. “Duhet të jemi sa më metodikë, sa më këmbëngulës te kjo fushatë me sa më pak patetizëm te mesazhet tona”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Përdorimi i kontraceptiveve nga 8% në vitin 2002 është rritur në 11% në vitin 2009. Ky nivel i ulët i përdorimit i shoqëruar dhe me numrin e ulët të lindjeve është tregues që aborti është alternativë kryesore në rastet e shtatzënive pa planifikim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›