E Diel, 1 Nëntor 2026

Notat e pamerituara, në gjyq dy pedagogë

Dosja Prokuroria përfundon hetimet për Astrit Frakullën dhe Vasil Kushtën, të hetuar për shpërdorim detyre

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dy pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamzë, të hetuar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Dyshohet se Astrit Frakulla dhe Vasil Kushta u vinin nota të pamerituara studentëve të Universitetit Bujqësor, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë, pasi nuk është vërtetuar se kanë marrë ryshfet nga nxënësit apo sekserët. “Ndaj dy pedagogëve kemi ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës. Kemi konstatuar se studentët që kishin provime me dy pedagogët në fjalë, kanë marrë nota të pamerituara. Nuk kemi vërtetuar nëse Frakulla dhe Kushta kanë marrë ryshfet”, thanë burimet nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, të cilat konfirmojnë se së bashku me dy pedagogët, në gjyq kanë shkuar edhe sekserët, të cilët akuzohen për ndikim ndaj pedagogëve. Sipas akuzës, përgjimet dhe filmimet në terren janë prova më e fortë ndaj sekserëve, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy pedagogët, të cilët nuk janë kapur “mat” teksa po tërhiqnin ryshfetin në këmbim të favoreve për të ngritur e ulur notat e studentëve. Janë filmuar disa raste kur studentët paguanin një ryshfet të majmë në këmbim të një note më të mirë. Për nëntë muaj, Zyra Antikorrupsion ka përgjuar pa ndërprerje profesorët Astrit Frakulla e Vasil Kushta. Nga këto hetime, sipas akuzës, ka rezultuar se ata u kanë vendosur nota të mira studentëve të mbetur në provime. Megjithatë, nuk u vërtetua nëse vetë pedagogët kanë marrë përqindjen e tyre të ryshfetit. Bashkë me pedagogët është vendosur masë arresti edhe ndaj personave që hynin garantë për të bërë lidhjen mes studentëve mbetës që jepnin nga 100-150 euro për të marrë provimin. Policia ka preferuar t’i quajë operacionet “Provimi i suksesshëm 1 dhe 2”, duke lënë të kuptohet se pedagogët dhe sekserët e tyre merrnin ryshfet për një kalim lënde. Nën masën e sigurisë së gjykatës janë 2 pedagogë të Kamzës, 2 studentë, një ushtarak, një punonjës i administratës së Universitetit Bujqësor të Kamzës dhe një infermier i spitalit Nr.2 të Tiranës. Nga shtatë personat e hetuar, gjykata ka vendosur arrestimin e tre prej atyre, që dyshohet se luanin rolin e sekserit. Pedagogët kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk kanë marrë ryshfet dhe nëse mund të kenë gabuar në vlerësim, ka qenë për t’i bërë “nder” dikujt. Ata kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë marrë ryshfet, ndërsa kanë saktësuar se e drejta e vlerësimit për studentët u takon vetëm pedagogëve dhe stafit pedagogjik në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›