E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasari tërhiqet nga “Penda”-t, kryetar Mark Marku



Kur fundi i dhjetorit do të shënonte, si çdo vit, ndarjen e çmimeve letrare të organizuar nga Ministria e Kulturës, shtyrja e shpalljes së fituesve të “Penda”-ve është shoqëruar dhe me dorëheqjen e kryetarit të jurisë, Aurel Plasari. I caktuar qysh në mesin e korrikut të 2008-s, si kryetar jurie nga ministri i Kulturës, Ylli Pango, Plasari në fillim dhjetori ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen. Ndërsa shkresa përfundimtare për zëvendësimin e kryetarit të jurisë është bërë në javën e parë të janarit, duke u propozuar emri i shkrimtarit dhe kritikut, Mark Marku.

Gjithë informacioni i mësipërm është tërhequr nga burime pranë Ministrisë së Kulturës, vetëm dje. Për të gjitha këto lëvizje informohemi se Pango ka qenë dakord.

Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se asgjë nuk është bërë publike në media mbi këto ndryshime. Çfarë na justifikohet me dije është fakti se pa u bërë akt, nuk mund të shpallej ndryshimi i emrave. Por është më shumë se mesi i janarit dhe askush nuk përgjigjet mbi çfarë po ndodh me prurjet e botimeve mbi këtë konkurrim, që jo vetëm është shtyrë data e shpalljes së çmimeve, por në mënyrë të papritur dhe të fshehtë është ndryshuar dhe emri i kryetarit. Arsyet pse Plasari ka dhënë dorëheqjen mbeten çështje “sekrete” të ministrisë, ndërkohë që në drejtorinë e letrave tregojnë se pavarësisht kësaj, puna e jurisë deri tani ka vijuar rregullisht. Qysh nga korriku juria është mbledhur pothuaj çdo muaj, duke u marrë me të dhënat e botimeve si dhe prurjet në Bibliotekën Kombëtare. Skema e re për vlerësimin e letrave shqipe, e ndryshuar qysh nga viti i kaluar, e ka kthyer Bibliotekën Kombëtare në një vend që ushqen jurinë me informacionin mbi veprat e reja. Gjithsej janë nënte çmime për t’u ndarë, kur vjet për shkak të veprave jocilësore janë ndarë vetëm shtatë çmime. Ky vit mbetet po me aq pikëpyetje mbi prurjet. Sidomos është ndjerë, ashtu sikurse janë shprehur dhe specialistë të librit, që sezoni i vjeshtës dhe veçanërisht në panairin e librit në Tiranë ka pasur fluks botimesh të reja.

Në panair ka tërhequr vëmendjen “strategjia” gati dështuese e botuesve, duke lënë pikërisht në këto ditë hedhjen e botimeve të reja. Mungesa e jetës së tregut të këtyre librave u ka hequr mundësinë e shansin e njohjes dhe refleksionit, mbi të cilët mund të mbështetej dhe juria për verifikimin e vlerës së tyre. Gjithsesi meqë diskutohej për libra seriozë dhe cilësorë, në drejtorinë e letrave në Ministrinë e Kulturës - kjo merret si arsye e shtyrjes së shpalljes së fituesve të konkursit letrar nga ministria. Në fundin e janarit, pa u saktësuar sërish data, pritet të kemi emrat e “Penda”-ve, e çmime të tjera, si më të mirët e letërsisë shqipe në një treg të vështirë selektimi dhe njohjeje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›