Vetëm fitore

Kombëtarja shqiptare tashmë është e gatshme të zbresë në fushën e blertë për t’u ballafaquar me përfaqësuesen e Bjellorusisë, ndeshja kjo e cila zhvillohet të shtunën mbrëma në Tiranë në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2012’.
Kuqezinjtë e cilësojnë ekipin bjellorus si rival të drejtpërdrejtë në luftën e tyre që këto eliminatore t’i përmbyllin në një pozitë sa më të mirë të tabelës në Grupin D.
Aktualisht Bjellorusia gjendet në vendin e dytë me tetë pikë, tri më shumë sesa Shqipëria që pozicionohet në vendin e tretë me pesë pikë, katër më pak sesa lideri Franca.
Andaj ekipi i selektorit Josip Kuze synon që ta shfrytëzojë maksimalisht përparësinë e terrenit, por edhe përkrahjen e tifozëve, në mënyrë që ta mposhtë ekipin mysafir dhe kështu të dyja këto skuadra do të barazoheshin me pikë.
Por, humbja eventuale mund t’ia vështirësojë jashtëzakonisht shumë punët ekipit shqiptar për ta arritur objektivin në këto eliminator, që është njëra prej katër pozitave të para të grupit.
Andaj, mediat shqiptare raportojnë se nga kjo ndeshja varet shumë nëse Federata Shqiptare e futbollit do t’i ofrojë apo jo kontratë të re selektorit Josip Kuze. Por, kroatit këto ditë nuk po i intereson fort rreth së ardhmes së tij. Ai po mendon vetëm se si djelmoshat e tij ta mposhtin ekipin bjellorus.
“Më besoni se për asnjë moment nuk e kam menduar çështjen e kontratës. Objektivi im real është të marrim pikë, të ngrihemi në renditje dhe që skuadra të ecë përpara. Këtë ndeshje e shoh si një mundësi për t’i marr tri pikë dhe për ta zënë me pikë Bjellorusinë në Grupin D, në mënyrë që të kemi një perspektivë të mirë për ndeshjet e radhës”, ka deklaruar Kuze në konferencën për media.
Madje, Kuze ka pohuar se me fitore eventuale ndaj Bjellorusisë, Shqipëria mund të shpresojë akoma për t’i përmbyllur këto eliminatore në pozitën e dytë të tabelës. Por, nëse humb, ai thotë se kuqezinjve nuk do t’u mbetet tjetër veçse t’i nisin përgatitjet për eliminatoret e ardhshme.
“Gjithçka do të varet nga rezultati i ndeshjes me Bjellorusinë. Nëse fitojmë, do të mbetemi në garën për vendin e dytë dhe objektiv i yni do të ishte t’i mblidhnim edhe katër apo pesë pikë të reja. Nëse humbasim, atëherë dalëngadalë Shqipëria duhet të mendojë për të ardhmen dhe ta rindërtojë skuadrën”, ka theksuar ai.
Ai ka pohuar se ndeshjes do t’ia nisë me formacionin 4-4-2. Në portë do të qëndrojë Samir Ujkani, kurse në vijën e mbrojtjes Lila, Cana, Teli dhe Vangjeli. Ndërsa në mesfushë do të vendosen Skela, Lala, Bulku e Agolli. Kuqezinjtë do të përpiqen të shënojnë nëpërmjet dyshes sulmuese, Salihi – Bogdani.
Kuze ka pohuar se e ka analizuar mirë ekipin kundërshtar. Ai tregon se cila është arma kryesore e bjellorusëve.
“Do të thosha se ata kanë shumë kohë që luajnë së bashku. Për shkak të motit dhe ndërprerjes së kampionatit të tyre, ata punojnë për shumë kohë së bashku, qëndrojnë 20 ditë në Turqi apo grumbullohen në Austri dhe e njohin shumë mirë njëri-tjetrin”, ka theksuar tekniku kroat.
Mirëpo, shqiptarët nuk do ta kenë aspak lehtë t’i fitojnë tri pikë nga kjo përballje, sepse edhe bjellorusët do ta kërkojnë fitoren në stadiumin ‘Qemal Stafa’, ngase mysafirët aspirojnë të kualifikohen në ‘Euro 2012’.
“Do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme, sidomos për disa lojtarë të rinj të ekipit tonë. Ata duhet ta marrin përgjegjësinë dhe të dëshmojnë në Tiranë se a duan apo jo të jenë pjesë e Kampionatit evropian, që mbahet në Poloni e Ukrainë. Ky është edhe objektivi i ekipit tonë”, ka thënë selektori i përfaqësueses së Bjellorusisë, Bernd Stange.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë nis në orën 20:00.