E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi premton liberalizim brenda 15 muajsh

Nga Express më 26 mars 2011 në ora 21:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka quajtur real premtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, se brenda 15 muajsh do të bëhet liberalizimin e vizave, duke thënë kështu se vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza.

Sipas tij, Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe se deri në gjysmën e këtij viti do të fillojë prodhimi i pasaportave biometrike. Duke folur për reformat dhe ristrukturimin në Policinë e Kosovës, ai ceku si problem shtimin e numrit të punëtorëve dhe mungesën e buxhetit.

Ministri Rexhepi ka deklaruar se Policia e Kosovës, ka administrim në tërë territorin e Kosovës dhe është funksionale edhe në Mitrovicë, edhe pse sipas tij nuk ka kapacitete të plota.

Ndërsa, lidhur me bashkëpunimin me EULEX-in, ministri Rexhepi ka deklaruar se ka pritur më shumë nga ky mision, mirëpo sipas tij, zyrtarët e EULEX-it shpesh merren me reagime politike, që sipas tij nuk është në kompetencën e tyre.

Kurse, duke folur për arrestimet e fundit të disa ish-ushtarëve të UÇK-së, Rexhepi ka deklaruar se është krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së dhe ka thënë se ka qenë një luftë e pastër. Ai ka deklaruar se beson në pafajësinë e ushtarëve të akuzuar për kinse krime lufte, derisa sipas tij nuk merret ndonjë vendim nga gjyqi për dënimin e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›