E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm në 3 muaj borxhi publik rritet me 31.4 mld lekë

TIRANË- Rritet në mënyrë të frikshme niveli i borxhit duke paralajmëruar për vështirësi të shtuara pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti borxhi është rritur me 31.4 miliardë lekë ose sa 56% e totalit të rritjes të shënuar në të gjithë vitin buxhetor 2011-2012.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të muajit mars të këtij viti totali i borxhit arriti në 859,6 miliardë lekë, ndërkohë që në fund të 2012-ës borxhi vlerësohej në 828,2 miliardë lekë. Pra, vetëm në harkun kohor të 3 muajve detyrimet e Shqipërisë janë rritur me 31,4 mld.

Pjesa dërrmuese e këtij borxhi të ri, ose më saktësisht 23, 2 mld lekë janë marrë në tregun vendas nëpërmjet ankandeve të bonove të thesarit. Qeveria ka preferuar të marrë borxh tek qytetarët e saj dhe të mos dalë në tregun ndërkombëtar për shkak edhe të interesave të larta, por në këtë mënyrë ajo ka kufizuar mundësitë për kreditimin e ekonomisë vendase.

Bankat edhe pse kanë likuiditet të bollshëm e kanë më të lehtë që të kreditojnë qeverinë pasi risku është zero, se sa biznesin, që për shkak të krizës por edhe rritjes së kredive me probleme shihet si jo fort i besueshëm.

Në fund të vitit 2012-të borxhi publik i vendit arriti 60,7% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ndërkohë që sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave këtë vit ky tregues do të arrijë në rreth 63%. Duke e konsideruar borxhin e Shqipërisë më të lartin në rajon Banka Botërore dhe FMN vazhdimisht kanë rekomanduar uljen e tij, si një mënyrë për të ruajtur stabilitetin e financave publike. Por, në kushtet e mosrealizimit të të ardhurave, një borxhi në rritje dhe detyrimeve të pashlyera ndaj biznesit, qeveria ka pak gjasa që të realizojë shpenzimet dhe veçanërisht të kryejë investime për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë, e cila në periudhën e pas zgjedhjeve shihet në një optikë edhe më të errët.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Vetëm në 3 muaj borxhi publik rritet me 31.4 mld lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›