E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm pak radhë për vijimin e një kalvari

Pas një deklarate të njërit prej anëtarëve të maxhorancës sonë parlamentare, mediat në përgjithësi konstatuan, se nuk paskan fund pakënaqësitë e deputetëve të PD-së ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili para pak ditësh vendosi të mos e dekretojë një akt ligjor të miratuar në Kuvend, me urgjencë dhe vetëm me votat e shumicës, në fund të punimeve të sesionit të parë të këtij viti. Fjala është për Ligjin mbi "Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 'Për kthimin dhe kompensimin e pronës' të ndryshuar". Sa për të freskuar disi kujtesën e lexuesit në këto ditë të nxehta, fjala pra është për një ligj që u riformulua, në një të rënë të lapsit, me përmbajtje thuajse analoge të një akti të mëparshëm, disa dispozita të të cilit u shfuqizuan si antikushtetuese nëpërmjet vendimit nr. 27, dt. 26.5.2010 të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë arsyetimeve për ushtrimin e veton pezulluese të tij ndaj ligjit shumë të kontestueshëm, Kryetari i Shtetit i mëshoi sidomos cenimit të sigurisë juridike që mund të shkaktohej në këtë fushë, çka kishte çmuar edhe organi i rishikimit kushtetues për disa nene të aktit të mëparshëm. Mirëpo, deputeti elbasanas i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi menjëherë na del e thotë që: "Mënyra se si e ka kthyer Presidenti ligjin nuk është shumë e saktë, pasi ai ka shprehur një lloj nervozizmi, kur thotë që ligji i pronave shkel Preambulën (e Kushtetutës - shënimi ynë), pastaj rreshton edhe nenet përkatëse"(?!). Ndërkohë që pohon, se: "Deri sa kjo çështje ka kaluar në Komisionin e Ligjeve është parë që nuk shkel Kushtetutën dhe është në përputhje me ligjshmërinë dhe Kushtetutën e vendit. Përderisa, ne e kemi votuar një herë 'pro', ne do e kalojmë sërish 'pro' ligjin e pronave, pasi është sfidë e qeverisë, është detyrë e qeverisë dhe ky vend nuk mund të lihet pa ligj të saktë, duke e zvarritur këtë çështje...". Nejse, fundja Kushtetuta në nenin 73/1 e zhvesh deputetin nga përgjegjësia për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Le më pastaj të presësh nga ca prej legjislatorëve tanë mençuri tek shfaqen kapardisur përpara kamerave nëpër lokale a lulishte! Prandaj, nuk ia vlen të zgjatemi, për të qartësuar, se jo çdo projektligj që kalon në komisionet parlamentare qenka kushtetues dhe në përputhje me ligjshmërinë, se në bazë të logjikës së atij deputeti qenkan të tepërta jo vetëm vërejtjet apo kundërshtimet e opozitës, të ekspertëve dhe grupeve të interesit, por edhe seancat plenare bashkë me votimet në 'to, si edhe handikape të tjera.
Por, ndoshta është më me vend të shpjegohet, qoftë edhe shkurtimisht apo pjesërisht, se sa i pasaktë është ky ligj, zbatimi i të cilit fatkeqësisht do të ndikonte që përgjithësisht të vijonte kalvari i gjatë i njohjes së pronësisë private dhe i gëzimit të saj në mënyrë paqësore, për çka garanton ligji ynë Themelor dhe neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Formulimet e miratuara përfundimisht në këto instrumente bazike parashikojnë një të drejtë të cilësuar për pronën, që as gjykata me qendër në Strasburg nuk mund ta injorojë apo ta anashkalojë gjatë vendimeve të saj. Sepse, "...megjithëse gjykata nuk mund të zëvendësojë vlerësimin e autoriteteve kombëtare me atë të sajin, kjo është e detyruar që të rishikojë masën e kundërshtuar dhe, duke bërë këtë, të shqyrtojë faktet në lidhje me të cilat kanë vepruar autoritetet kombëtare" ('James kundër Mbretërisë së Bashkuar', A98, 1986). Kështu pra, GJEDNJ nuk mund të konsiderojë, gjithashtu, letrën e fundit që i ka dërguar asaj Qeveria shqiptare, e cila i lutej dhe i kërkonte, që këtej e tutje të mos merrte në gjykim ankesat e shtetasve tanë për çështje të pronësisë, sepse po bëheshin përpjekje për t'i zgjidhur brenda vendit problemet e shtruara në këtë fushë. Aq më tepër "s'pi ujë" kjo lutje, kur shumë nga çështjet e adresuara asaj gjykate flasin qartë për cenim të sigurisë juridike, të kësaj sigurie që i kushtohet edhe neni 4 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sikurse jetësimin e këtij nocioni e konsideron shprehimisht si kusht të parë dhe më të rëndësishmin fjalia e dytë e paragrafit të parë të nenit 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ së. Brenda këtij kuadri lind edhe pyetja: Si po prezantohen tani përpjekjet garantuese të Qeverisë shqiptare?
Dihet që në vendin tonë, aktet ligjore për kthimin dhe kompensimin e pronave kanë pësuar ndryshime gjatë afro 20 viteve të fundit, krahas zhvillimit të plot proceseve gjyqësore me mangësi juridike të theksuara. Ndërsa, miratimi përsëri mot a mot i ligjit të fundit, për të cilin maxhoranca parlamentare deklaron prerazi se, nuk pranon as të reflektojë pas argumenteve të arsyeshme dhe të bazuara të Kryetarit të Shtetit, duke mos respektuar me këmbëngulje disa normave ku mbështetet shteti i së drejtës, të përforcojnë bindjen që ky fraksion i organit tonë legjislativ synon, veç të tjerash, të vijohet pafundësisht, madje edhe më konfliktualisht, kalvari i pronës, kur është e qartë fare mirë që çdo ndërhyrje ndaj saj s'mund të justifikohet veçse nëse është në përputhje me interesin publik ose të përgjithshëm. Dhe për përmbushjen e këtij synimi, me sa duket kërkohet të ndiqet një trajektore plotësisht antikushtetuese, antiligjore. E pra, kur shumë prona të paluajtshme të individëve janë kthyer ose fituar këtu e disa vite më parë, tani na u dashka të veprohet që vendimet për 'to të rishikohen dhe mundësisht të zhvlerësohen. Mirëpo, ndërkohë, një dispozitë e Kodit Civil urdhëron që e drejta e kërkimit të pasurisë së paluajtshme nuk parashkruhet. Ndërkohë, gjithashtu, që komisionet për kthimin dhe kompensimin e pronave nëpër bashki, rrethe dhe qarqe, si edhe Komisioni Qendror, vendimet e të cilëve jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut i kualifikon me neologjizmin quasi gjyqësore, prej kohësh janë suprimuar. Duke qenë që këto nuk kanë qenë organe administrative në kuptimin klasik të këtij termi, edhe vendimet e tyre nuk ishin akte administrative në nocionin juridik të këtij emërtimi. Për më tepër, vendime të tilla që nuk janë ankimuar brenda afateve ligjore konsiderohen të formës së prere. Keshtu qe që, ai të cilit ligji i fundit i jep tagra shumë të autoritetshme, pra Drejtori i Agjencisë aktuale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si organ monokratik i emëruar nga Qeveria, kurrsesi nuk mund të legjitimohet dhe të justifikohet që të marrë vendime për të ndërhyrë mbi interesat civile të shtetasve. Nëse ndodh e kundërta, atëherë në kushtet e mungesës së një interesi të ligjshëm publik do të deformohej edhe përmbajtja e neneve 41/3, 42/2 dhe 17 të Kushtetutës, që s'e pengon një organ administrativ të njohë të drejtën e pronësisë së shtetasve tanë, e cila mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një interesi publik ose të përgjithshëm. Për të mos u futur në 'labirintet' e konkretizimeve, mund të thuhet se, cilido që do t'i hidhte një sy përmbajtjes së ligjit të fundit do të vinte re, gjithashtu, që këtu shtohen arbitrarisht disa norma të reja administrative që nuk parashikohen në Kodin e Procedurave Administrative, duke implementuar madje edhe një dispozitë të Kodit të Procedurave Civile (neni 494/ a) etj, etj. Të gjitha këto tregojnë që, me miratimin dhe zbatimin e këtij ligji, individi detyrohet të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve juridike që prekin pronën, si një nga mjetet bazë për mirëqenien e tij, duke krijuar kështu tensione të reja sociale. Njëherazi, paqartësitë mbi pronësinë e sendit të paluajtshmesh, natyrisht që do të ndikonin në ngurrimin e mëtejshëm dhe të më tepërt të investitorëve, vendas apo të huaj, çka mund të shqipërohet ndryshe si vënie barjerrash të tjera zhvillimit ekonomik e financiar të vendit tonë, i cili edhe pa këto të fundit gjendet në një krizë gjithnjë e më të thellë, që nuk e sfumojnë dot deklaratat hipokrite të qeveritarëve.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›