E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për mbrojtjen e jetës

Një grup banorësh të komunës Novoselë (Vlorë) kanë ditë që protestojnë dhe bllokojnë punimet në rrugën lokale. Në disa komuna lidhëse me rrugët nacionale në Shkodër, Fier, Korçë, Laç, Kavajë, Durrës dhe Lezhë, javët e fundit ka patur protesta të njëjta. Në të gjitha këto protesta motivi dhe kërkesa kanë qënë të njëjta: banorë që kërkojnë përfshirje në projektet e ndërtimit të rrugëve kombëtare të kalimeve (nën ose mbikalime) në territorin e komunës së tyre. Thënë më thjesht: në gjitha këto zona banorët i kanë pronat e tokave dhe kullotat në anën tjetër të rrugës nacionale dhe me projektet e reja të zgjerimit të rrugëve, ata do ta kenë të pamundur të kalojnë në anën tjetër. Në dukje një problem teknik, praktikisht është një motiv i madh proteste, një kërkesë qytetare dhe ligjore sa edhe një veprim kundër abuzimeve burokratike me investimet publike. Sipas Ministrisë së Brendshme gjatë 5 viteve të fundit kemi patur rreth 1200 aksidente nga të cilat 32% me pasojë vdekjeje pikërisht në zona të tilla banimi, ku banorët rrezikojnë kalimin e rrugëve nacionale pa patur mundësi praktike për mbi-ose nënkalim rrugor. Aksi Tiranë - Shkodër, Tiranë - Durrës dhe Kavajë - Fier janë kampione të aksidenteve në rrethana të tilla. Projekte të mëdha kombëtare për ndërtim autostradash dhe supërstradash, rrugë të reja që lidhin qytetet kryesore, por që në madhështinë e tyre u mungon tërësisht elementi i sigurisë njerëzore. Legjislacioni shqiptar dhe ai komunitar parashikon kushtëzimin e projekteve të tilla me elementë shtesë (kalime paralele, nën e mbikalime në zona të banuara, anekse për bicikletat, ndriçim të përhershëm, sinjalistikë informuese, masa të veçanta mbrojtëse në kohë të nxehtë, në raste përmbytjesh dhe në dimër të ashpër. Shqipëria ka sot disa mijëra kilometra rrugë të reja lokale e kombëtare, por vetëm segmente si ato Rubik-Kalimash janë të pajisura me standarde të tilla teknike. Të gjitha të tjerat vuajnë nga mungesa thelbësore në projekt, krijime artificiale dhe jofunksionale, apo abuzime ekstreme të hapësirës dhe të drejtave publike. Psh, në rrugën drejt Durrësit gjen mbikalime mbi të cilat nuk mund të kalojë asnjë i sëmurë, paraplegjit apo pensionist që mezi ecën. Autorët e projektit të rrugës krijuan shkallë të larta të ngjashme me shkallët turistike në alpet austriake, por të pashembullta për standardet e rrugëve modern europiane. Shumë më alarmante janë rrugët e reja në jug e veri, të gjitha pa projekte të plota, pa sinjalistikë të rregullt, pa masa mbrojtëse, pa mundësi kalimi për banorët e zonës etj.
Legjislacioni dhe procedurat administrative parashikojnë norma standard për rrugët në zonat e banuara, por në rastin shqiptar asnjë prej tyre nuk gjen zbatim. Të etur pas fitimit abuziv firmat ndërtuese nuk kanë ndjenjë përgjegjësie apo vetkontrolli, zyrtarët mbyllin sytë e firmosin cdo projekt gjysmak, kurse politikanët e etur për lajme inaguruse bredhin me gërshërë në dorë pa marrë në konsideratë nivelin, cilësinë, efektivitetin dhe produktivitetin e asaj që përurojnë. Në deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë pamë zyrtarë që shënonin dhjetra mijëra dollarë fitim në vit me kompani të tilla ndërtimi, në parlament kemi rreth 12 deputetë që biznes kryesor kanë ndërtimet rrugore në jug e veri, kurse në jetën e përditshme kemi dhjetra grupe qytetarësh që protestojnë tu dëgjohet zëri i arsyes, pa shpresë se dikush do i dëgjojë. Në këtë mënyrë trekëndëshi firma private - zyrtarë miratues dhe funksionarë politikë vlerësues ka krijuar një koalicion të frikshëm kundër qytetarëve dhe interesave të tyre madhore. Një rrugë e re sjell zhvillim, por një rrugë pa standarde mund të jetë kundërproduktive. Shqipëria ka rrugë të reja sa 3% i rrugëve kombëtare në një vend të madh si Gjermania, por numri i aksidenteve tona rrugore është 38% më I lartë sesa në Gjermani. Sic po ndodh në Golem apo në Novoselë, në Orikum apo në Bushat, në Thumanë apo në Maminas, për shkak të pasigurisë rrugore, numri i të vrarëve apo plagosurve në aksidentë I ngjan bilancit të luftës. Kur ndjejmë dhimbje, shohim pasojat e aksidentëve të gjithë kthejmë vështrimin kritik tek policia. Ajo duhet të mbrojë jetët tona. Kritikat mund të jenë të drejta, sidomos në rastin e policisë shqiptare, e vetmja në Europë që çdo muaj paraqet tabela të vrarësh në aksidente dhe në mënyrë të papërgjegjshme mburret me rënien me 1-5% të numrit të tyre. Gjithësesi policia nuk është zgjidhja dhe as problem kryesor. Ajo kontrollon lëvizjen, por jo thelbin e aksidenteve, burimin e tyre që janë rrugët pa standarde dhe elemente sigurie. Në Shqipërinë e 20 viteve të fundit kemi ndërruar 18 ministra të brendshëm e disa qindra policë qarkullimi, por ende nuk kemi ndaluar, gjykuar dhe ndërshkuar ligjërisht një zyrtar dhe një firmë private kontraktuese për cilësi të dobët pune në rrugë, për projekte abuzive dhe mungesë standardesh minimale në projektimin, miratimin dhe realizimin e rrugëve. Sepse fushatat paralameruese per qytetaret, informimi ne tekste shkollore, gjobat ndaj shofereve etj, jane ndihmuese, por jo masa e duhur per zgjidhjen e burimit te problemit. Përsa kohë kjo situatë vijon me një drejtim: rrugë dhe sa më shumë asfalt pa projekt dhe pa cilësi, pa siguri për qytetarët dhe pa marrë në konsideratë nevojat e territoret e tyre të banimit, protesta qytetarie si kjo e Novoselës dhe lajme si këto të kronikës së zezë verore do të vijojnë të jenë present në mediat tona.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›