Vetëm paqe në miqësoren e Pavarësisë

Rreth 10 mijë shikues ndoqën nga afër 45 minutat e para në ndeshjes, të cilat u mbyllën në barazim pa gola. Rastet për shënim kanë qenë të pakta.
Gjatë pushimit mes pjesëve, një numër i konsiderueshëm tifozësh braktisën tribunën, pasi humbën interesin për një ndeshje pa shumë emocione. Ndërsa në fraksionin e dytë të ndeshjes, rastet për shënim u shtuan dhe vetëm dy prej tyre përfunduar në rrjetë, nga një për secilën skuadër.
Gjatë 45 minutave të dyta në stadium ka mbërritur edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pikërisht pas këtij momenti kanë mbërritur edhe dy golat. Në minutën e 64-t, Dinamo kalon në avantazh me golin e argjentinasit Ruben Çeko.
Ndërsa Prishtina baraspeshoi rezultatin në 1-1 me Tahir Ademinin në minutën e 76-të. Asgjë nuk ndryshoi në minutat në vazhdim, duke e mbyllur sfidën me këtë rezultat. Të pranishëm në tribunë ishin edhe presidentët e FSHF-së dhe FFK (FSHF), përkatësisht Armand Duka e Fadil Vokrri dhe disa personalitete të tjera.
Pas takimit, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, u shpreh: “Ishte ndeshje që besoj u ka shërbyer të dyja ekipeve dhe argëtuese për publikun. Për vetë kushtet mendoj se pati ritmin e duhur”. Ndërsa trajneri i FC Prishtinës, Afrim Tovërlani, i cili e kishte marrë më seriozisht ndeshjen, nënvizoi se “Dinamo nuk qëndron më lart se FC Prishtina, për sa i përket cilësisë”.