Vetëvendosje: 10 mijë qytetar protestuan kundër politikanëve që po hanë shtetin

Nga protesta e Vetëvendosjes
Prishtinë, 22 qershor 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikimi me mediat deklaroi se në protestën e ditës së sotme kundër hajnisë, morën pjesë rreth 10 mijë qytetar.
Më tej theksohet se pavarësisht pengesave nga ana e qeverisë, marshi protestues i shoqëruar nga parulla e brohoritje të shumta si Hajnat në burg!, Poshtë Qeveria! u nis pas orës 12.00 nga Biblioteka Kombëtare për të përshkuar rrugën deri te ndërtesa e Qeverisë. Gjatë tërë rrugës qytetarë të shumtë ju bashkuan marshit protestues, në shenjë solidarizimi.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti u shpreh se, Ky pushtet e ka vjedhur shtetin dhe ne duhet që shtetin ta çlirojmë prej këtij pushteti. Këta pushtetarë i kanë vjedhur votat për të vjedhur para, që me to të paguajnë vota, që të vjedhin edhe më shumë para.
Hajnia në Kosovë është e trefishtë, theksoi Kurti, Po e vjedhin buxhetin e Kosovës nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet manipulimit me tendera, ku tenderat ua japin miqve të tyre biznesmenë qe ua kanë financuar fushatat e tyre parazgjedhore e që tash po ua paguajnë me buxhetin e Kosovës. Mënyra e dytë se si po vjedhin këta hajna, është nëpërmjet shitjes se ndërmarrjeve publike të Kosovës siç janë: PTK, KEK-u dhe Trepça. Po ashtu edhe përmes negociatave që po i zhvillojnë me Serbinë në Bruksel janë duke ja vjedhur territorin Kosovës.
Sipas tij, arsyeja pse Qeveria e Kosovës shkon në bisedime është, sepse është e korruptuar edhe e ka bishtin e zënë me derë dhe se politikanët, që janë bërë njerëzit më të pasur të Kosovës, janë ditën politikanë e natën biznismenë, madje ai theksoi se ata janë politikanë që po e hanë shtetin.
Ndërsa Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të thonë të vërtetën, përshëndetën edhe aktivistë të tjerë, nën mbështetjen e vazhdueshme të protestuesve.
a.y/NOA