Edhe Qeveria di të ofendojë, por e ruan nivelin!

Protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën nuk ka kaluar pa i bërë përshtypje Qeverisë së Kosovës, zyrtarët e të cilës kanë thënë se edhe ata dinë të ofendojnë ashtu siç po ofendon Vetëvendosja, porse nuk do të bien në atë nivel.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar në konferencë për media pas mbledhjes së ekzekutivit të vendit, se protestat janë të ligjshme dhe Qeveria nuk i ngulfatë ato, por nëse dikush ka prova të tilla për hajni, t’i deponojë në gjykatë.
“E dimë që jetojmë në demokraci dhe agjenda demokratike dhe protestat janë të ligjshme dhe Qeveria e Kosovës nuk i ngulfat gjërat e tilla. Ajo çfarë mund të them është se do ta përsëris atë që kam thënë, por sot po e shtoj, ka qenë një pretendim i zhurmshëm por sido që të jetë është demokratike ta thonë njerëzit, por nëse dikush ka prova të tilla unë po e ftoj në gjykatë. Por unë dua ta them qartë se ky vit nuk është vit elektoral, këtë vit nuk do të ketë zgjedhje”, është shprehur Kuçi.
Por i pyetur nëse janë prova të mjaftueshme hetimet ndaj drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxhaj, e në të cilin, siç është raportuar në media, ndërlidhet edhe kryeministri Hashim Thaçi, Kuçi ka thënë se ato janë spekulime.
Më tej, Kuçi ka thënë se nuk kërkon prova nga Vetëvendosja, por ripërsëriti se kërkon që ajo të bëjë politikë dhe të ofrojë alternativa, e jo të ofendojë.
“Nuk e thash që Vetëvendosja duhet të ketë prova, por u kam thënë dhe po them prapë le të bëjnë politikë, le të japin alternativa, le të kritikojnë, të mos ofendojnë. Kjo ka qenë logjika ime dhe po i ftoj prapë dhe unë mendoj që ka parti që e kanë humbur kauzën. Ofendimet bëhen shumë lehtë, mirëpo edhe ne dimë të ofendojmë, por se kemi ndërmend me ra në atë nivel. Por të mos na detyrojnë të bëjmë gjëra të tilla që nuk janë të hijshme për vendin, le të japin mendimet e veta le të bashkëpunojnë, edhe në nivel politik edhe në drejtësi, por jo në atë mënyrë. E sido që të jetë reagimi ndaj menaxhimit të protestës dhe reagimi ndaj qytetarëve dallon. Unë i falënderoj qytetarët për mbështetjen që i japin Qeverisë, për bashkëpunimin që e kanë dhe falënderojë që prej 2 milionë qytetarëve kemi mbështetjen maksimale”, ka thënë mes tjerash Kuçi.
Sot nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, disa mijëra qytetarë protestuan me moton “Kundër hajnisë”, duke marshuar nga Biblioteka Kombëtare Universitare deri para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me parulla antiqeveritare dhe me portretin e vizatuar të kryeministrit Thaçi, me hundën e pinokios që simbolizon gënjeshtarin më të madh. (KosovaPress)