Pacolli takon kryediplomatin e Ganës
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë aktiviteteve lobuese në Afrikë, ka vizituar sot Ghnën ku është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të këtij shteti, Lahi Mohamet Mumini.
Behgjet Pacolli u prit nga autoritetet më të larta shtetërore të Ghanës, në Accra, si ish-President dhe në cilësinë e zv.Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë shtypi.
"Në kuadër të angazhimeve lobuese, që po zhvillon për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër në Afrikë, zv.Kryeministri, z. Pacolli, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Ganës, Lahi Muhamet Mumini dhe shefin e Kabinetit të Presidentit të këtij vendi, Michael Wilson".
Zv.Kryeministri, z. Behgjet Pacolli duke falënderuar autoritetet përfaqësuese te Ganës për gatishmërinë dhe respektin e treguar ndaj përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se roli i Ganës në Samitin e Unionit Afrikan është i veçantë dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Ky Samit do të mbahet në Kryeqytetin e Guineas Equatoriale, në Malabo, nga 28-30 të këtij muaji, prandaj Pacolli kërkoi nga ministri Mumini që të shfrytëzojë këtë rast për të diskutuar lidhur me Kosovën dhe për nevojën që ka vendi ynë për njohje të reja nga vendet afrikane.
Pacolli po ashtu informoi ministrin e Jashtëm të Ganës për zhvillimet demokratike në Kosovë, duke theksuar se Republika e Pavarur e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit demokratik të institucioneve shtetërore të saj.
Zëvendëskryeministri Pacolli ka kërkuar po ashtu nga ministri i Punëve të Jashtme i Ganës të shqyrtojë mundësitë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ugandës në mënyrë që bashkërisht të prezantojnë gjatë Samitit të Unionit Afrikan, si pikë të veçantë për diskutim, çështjen e unifikimit të qëndrimit të vendeve Afrikane, për njohjen sa më të shpejtë të Pavarësisë së Kosovës.
Nga ana e tij, Mumini thuhet se e ka vlerësuar lartë angazhimin e autoriteteve përfaqësuese të vendit tonë për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës dhe ka premtuar se do të bashkërendis veprimet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ugandës, z. Sam Kutesa për të shqyrtuar me seriozitet, gjatë këtij Samiti të Unionit Afrikan, mundësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga këto vende.
Zv.Kryeministri z. Pacolli takon sot Presidentin e Nigerisë
Pas këtyre takimeve në Republikën e Ghanës, zv.Kryeministri, z. Pacolli, ka udhëtuar për në Nigeri ku do të ketë një darkë pune me Presidentin e këtij shteti, z. Goodluck Jonathan.