E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje: Ardhjen e Tadiqit po e mundësojnë politikanët që janë në pushtet

Ndonëse Qeveria e Kosovës si duket do t’ia kthejë pozitive kërkesën e Boris Tadiqit, bërë asaj për vizitë religjioze në Kosovë, por me garanca nga ndërkombëtarët, se ai nuk do të lëshohet në deklarata politike, Lëvizja Vetëvendosje, duke u bazuar në praktikat e viteve paraprake, nuk e beson se Tadiqi nuk do japë deklarata politike dhe kanë thënë se sot do të merret një vendim se si do ta organizojnë “pritjen” për presidentin serb, Boris Tadiq.

Dardan Mulliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë të enjten në një konferencë për media, se ardhjen e përfaqësuesve serbë në Kosovë e kanë mundësuar vetë politikanët që janë tash në pushtet, edhe pse ata kanë pasur garanci se ai po vjen për vizitë private.

“Ardhja e përfaqësuesve të shtetit serb, të cilët në vazhdimësi vazhdojnë ta luftojnë shtetin e Kosovës, e cila është mundësuar prej këtyre politikanëve që janë në Kosovë, gjithmonë me garancat se po vjen në Kosovë për vizitë private dhe nuk ka deklarime politike, gjithmonë ka dalë e pavërtetë, sepse edhe në vitin e fundit presidenti Tadiq e ka dhënë një deklaratë politike, qysh ai është politik, sepse është president i një shteti”, ka thënë ai.

Madje Mulliqaj thotë se edhe kur ata e kanë organizuar bllokimin e rrugëve për ta penguar ardhjen e Tadiqit në Kosovë, Qeveria ia ka mundësuar ardhjen me helikopter.

Ai shtoi se Vetëvendosja sot do të marrë një vendim lidhur me organizimin e “pritjes” së presidentit të Serbisë Boris Tadiq, por ka lënë të kuptohet se organizimi do të jetë në frymën e kësaj Lëvizjeje, e cila është kundërshtuese ndaj vizitave të përfaqësuesve të një shteti që vazhdimisht po e lufton shtetin e Kosovës dhe nuk po e njeh atë si shtet.

Sipas tij, institucionet tona dhe vetë kryeministri Thaçi po ia mundëson atij ardhjen sa më të lehtë dhe po e pamundëson bllokimin që do të duhej t’ia bënim atij.

E në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, duke folur për vizitën e Tadiqit në Kosovë, ka thënë se edhe pse në vitet e më hershme ai ka bërë deklarata politike, ai tregon se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se presidenti serb nuk do të lëshohet në deklarata politike.

“Ne e dimë që ai mund të bëjë shkarje, tejkalim, megjithatë kemi garanca ndërkombëtare për një mesazh të tillë që i është dërguar drejtpërdrejtë edhe atij”, pohoi Kuçi.

Ndryshe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq vjen sërish në Kosovë me arsyetimin e pjesëmarrjes në krishtlindjet ortodokse. Ai me delegacionin e tij fillimisht do të qëndrojë në Manastirin e Deçanit, mandej edhe në Kishën e cila gjendet në Pejë. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›