E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetevendosje bllokon Serbine

Ashtu sic kishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje organizoi protestën me moton “Serbia nuk kalon” duke grumbulluar mbështetësit e saj në këtë kauzë, në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, pikërisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë.

Në krye të protestuesve në Merdare, ashtu si në 14 janar, ishte lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Kurti tha për mediat se plani i protestës është i njëjtë; të ndalet Serbia dhe produketet serbe në kufi dhe të respektohet, sic tha ai, reciprociteti i plotë politik, ekonomik dhe tregtar mes Kosovës dhe Serbisë, në mbrojtje të Republikës.

Më tej, kreu i VV tha se protesta është paqësore dhe se shpresonte që policia e Kosovës të mos mbante të njëjtin qendrim ndaj protestuesve, ashtu sikundër u veprua në 14 janar. Me anë të kësaj proteste, aktivistët e Vetëvendosjes, kundërshtojnë gjithashtu edhe mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, mocion që mbështet tregtinë dhe lëvizjen e lirë me Serbinë, duke rrëzuar atë të propozuar më parë nga VV dhe të miratuar nga Kuvendi, për reciprocitet.

Vetëvendosje ka caktuar aktivistë të saj, të cilët dallohen pasi mbajnë një shirit në krah, pikërisht për të garantuar protestë paqësore. Ata orientojnë protestuesit për të shmangur përplasjet me policinë.

Këtë herë, protesta në Merdare mbahet 4 kilometra larg pikës kufitare, për shkak se policia nuk lejon vazhdimin e metejshëm të tyre. Sic raporton gazetarja e Top Channel në terren, Erina Matraxhiu, situata është e qetë dhe nuk ka patur përleshje me policinë. Nga ora 13:00, kohë kur nisi edhe grumbullimi i protestuesve, drejt Kosovës nuk ka kaluar asnjë makinë me targa serbe.

Ndërkohë, në pikën tjetër kufitare, atë të Dheut të Bardhë, protestuesit gjenden vetëm 1 kilometër larg kufirit.  Mes tyre ndodhen deputetë të Vetëvendosjes që kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë kthyer mbrapsht për në Serbi disa makina me targa serbe. Sic raporton gazetari Top Channel në terren, Valmir Elezi, pak pas orës 12:00, në këtë aks rrugor ka kaluar vetëm një kamion tregtar me targa të Shkupit.

Nga ana tjetër në Morinë, mbështetësit e Vetëvendosjes nga Shqipëria, ashtu si në 14 janar, janë penguar sërish në kufi, me argumentimin zyrtar se shoferi i autobusit nuk ka çertifikatë mjekësore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›