E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje, diskutoi me menaxherin e BB-se në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe drejtuesi i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri, u takuan sot me Jan-Peter Olters, menaxher i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë. Në takim u diskutuan rrjedhat kryesore ekonomike në Kosovë dhe rolin e projekteve të Bankës Botërore në këto zhvillime.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s ia prezentuan Olters Alternativën Qeverisëse, duke u përqendruar në modelin zhvillimor për Kosovën.

“ Ky model i VETËVENDOSJE!-s e sheh shtetin si institucion aktiv në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili përmes strategjisë zhvillimore orienton ekonominë e vendit drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese, konkurruese, dhe rritjes së punësimit dhe cilësisë së punësimit për qytetarët e Kosovës. Rritja ekonomike e cila nuk i përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë shndërrohet në rritje të hendekut mes të varfërëve dhe pasurve. Sipas modelit tonë ekonomik dhe të shtetndërtimit, rritja ekonomike përkthehet në përmirësim të mirëqenies përmes rritjes së përfshierjes së qytetarëve në sektorin e ekonomisë duke rritur punësimin, duke rritur përfitimin për bujqit, duke përmirësuar cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë, dhe duke zhvilluar dhe përmirësuar mekanizmat e solidaritetit institucional për siguri sociale në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë”, i kanë thënë Olters, drejtuesit e VV-së.

Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për zhvillimet konkrete në fushën e energjisë dhe minierave, me theks të veçantë në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Miniera dhe Minerale i cili aktualisht është u diskutuar në lexim të dytë në Kuvend.

“Vërejtja kryesore në këtë projektligj është te Neni 14 i cili e ndryshon paragrafin 7 të Nenit 18 të Ligjit bazik, përmes të cilit kërkohet Qeveria fiton të drejtën që ta suspendojë procedurën konkuruese për një investitor të caktuar në rezervat e mineraleve energjetike në Kosovë, me kusht që këto të konsiderohen investime të konsiderueshme apo të jenë të lidhura me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Një vendim të tillë qeveria obligohet që formalisht ta kalojë nëpër Kuvend”, ka bërë të ditur VV.

Olters po ashtu i njoftoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! për disa projekte të Bankës Botërore të cilat do të vijnë për miratim në Kuvend në mesin e këtij viti, e që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Kosovë si dhe me investime në sektorin e bujqësisë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›