Haradinaj merr titullin “Nderi i Qarkut të Beratit”

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë sot titullin “Nderi i Qarkut të Beratit” në një ceremoni, që është zhvilluar në ambientet e universitetit, për kontributin e çmuar në çlirimin dhe fitoren e pavarësisë së Kosovës.
I shoqëruar nga një staf mjaft i ngushtë, Haradinaj mbërriti fillimisht në Këshillin e Qarkut, ku u prit nga kryetari Petrit Sinaj.
Ai e njohu ish-kryeministrin e Kosovës me resurset e këtij qarku, pozitën gjeografike si dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet komunave të Kosovës dhe njësive vendore të këtij qarku.
Më pas, ceremonia ka vijuar në sallën e konferencave të Universitetit të Beratit, ku morën pjesë deputetë, pushtetarë lokalë dhe studentë.
Nënkryetari i parlamentit dhe deputeti i LSI-së në këtë qark, Nasip NaÇo, vlerësoi kontributin e Haradinajt në luftën e UÇK-së për Çlirimin e Kosovës dhe përballjen me tribunalin e Hagës.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj, lexoi për të gjithë të pranishmit motivacionin e titullit të nderit për ish kreun e UÇK-së, Haradinaj, titull i cili është vendosur më pesë tetor të vitit të kaluar, kohë në të cilën ende nuk kishte përfunduar gjykimi ndaj ish-kryeministrit. /Indeksonline/