E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vetëvendosje” paralajmëron demonstratë më 21 qershor

Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” intervenimin e djeshëm të njësive speciale të Kosovës në selinë e kësaj lëvizjeje dhe arrestimin e liderit Albin Kurti, e kanë vlerësuar si shumë brutal dhe të dhunshëm, ndërkaq kanë paralajmëruar se ditën kur pritet të mbahet seanca gjyqësore kundër Kurtit më 21 qershor do të organizojnë një demonstratë.

Pas arrestimit të Albin Kurtit dhe disa aktivistëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së djeshme, aktivistë të “Vetëvendosjes” kanë mbajtur të dielën një konferencë për media lidhur me intervenimin e njësisë speciale të Kosovës në zyrat e lëvizjes.

Liburn Aliu, aktivist, ka thënë se intervenimi brutal nga njësia speciale e Policisë së Kosovës, me ç’rast u arrestuan aktivistë të “Vetëvendosjes” dhe shumë të tjerë u lënduan, dëshmon se pushteti i sotëm në vend se ta luftojë krimin e organizuar, po lufton organizimin popullor, dhe sipas tij e gjitha kjo është bërë pasi që “Vetëvendosje” po arrin me sukses gjithnjë e më tepër ta demaskojë këtë politikë.

“Përderisa ata, ky pushtet bënë pazar në këto tri fusha pra, në negociatat e ardhshme që do të priten në çështjen e integritetit territorial, bënë pazar me pasuritë e Kosovës dhe me identitetin kombëtar. Lëvizja “Vetëvendosje” po arrin me sukses gjithnjë e më tepër ta demaskojë këtë politikë që shoqërinë tonë po e shkatërron. Ata duke e parë zhvillimin e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe zgjerimin e saj në struktura, po veprojnë me panik, po veprojnë në mënyrë që të synojnë ta dobësojnë dhe ta shkatërrojnë Lëvizjen “Vetëvendosje””, ka thënë ai.

Edhe aktivisti, Xhelal Sfeçla, intervenimin e djeshëm të policisë e ka quajtur të dhunshëm duke i hedhur fajin për gjithë këtë situatë EULEX-it, sepse sipas tij intervenimi ka qenë i dirigjuar nga vetë krerët e këtij misioni.

“Kjo udhëheqje qyqare e policisë nuk ka guxim të intervenojë aty ku çdo polici normale do të intervenonte, sikurse do të duhej të intervenonte kundër strukturave paralele, kundër kriminelëve të luftës, kundër krimit të organizuar, dhe kundër shefave të korrupsionit, guximin e vetëm i ka që t’i rrah aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe atë duarlidh në makinat dhe stacionet policore. Intervenimi i djeshëm i policisë së dirigjuar nga EULEX-i ishte identik me intervenimin e Shërbimit Policor të Kosovës të dirigjuar nga UNMIK-u më 10 shkurt kur e arrestuan Albinin pas demonstratës së 10 shkurtit”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj konference aktivistët e “Vetëvendosjes” prezantuan dy fotografi nga aksioni i djeshëm të dy policëve, të cilët sipas tyre janë përgjegjës për dhunën e shkaktuar, pasi pa nevojë shkaktuan dhunë dhe lënduan aktivistë dhe i burgosën ata në mënyrë të paparë.

Glauk Konjufca, aktivist, intervenimin e djeshëm e ka quajtur brutal dhe se përgjegjëse për këtë sipas tij janë kryeministri Thaçi, përfaqësuesi civil ndërkombëtar Piter Feith dhe udhëheqësi i EULEX-it Iv de Kermabo.

“Për ndërhyrjen brutale dhe aq të dhunshme të djeshme të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Lëvizja “Vetëvendosje” e bënë përgjegjës kreun e Qeverisë Hashim Thaçi, udhëheqësin e EULEX-it Iv de Kermabo dhe përfaqësuesin civil ndërkombëtar Piter Feith. EULEX-i dhe Piter Feithi gjithmonë kanë pasur interes të veçantë për ta mënjanuar nga skena politike Lëvizjen “Vetëvendosje” dhe Albin Kurtin, por tash që Lëvizja jonë e kumtoi edhe rezultatin e debatit lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politik të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit, është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikur që u pa ndaj ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje”, ka thënë Konjufca.

Dardan Molliqaj ka njoftuar për hapat e ardhshëm të kësaj lëvizjeje, dhe demonstratën që organizojnë në ditën e gjykimit të Kurtit, duke rikujtuar edhe një herë peticionin e nënshkruar nga 175 mijë persona për mbylljen e rastit të Kurtit dhe hapjen e rastit ndaj policëve rumunë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që e kanë nënshkruar këtë peticion dhe të gjithë atyre që nuk kanë mund ta nënshkruajnë këtë peticion që të gjithë së bashku ta mbrojmë këtë vullnet të shprehur, i cili nuk po respektohet nga asnjë institucion ndërkombëtar e as vendor dhe konform kësaj bëjmë thirrje se Lëvizja “Vetëvendosje” do të organizojë demonstratë në ditën e gjykimit të Albin Kurtit, sipas të gjitha gjasave dhe sipas informatave zyrtare dita e gjykimit do të jetë e hënë më 21 qershor dhe nëse do të ketë ndryshime në këtë datë sigurisht që ne do të njoftojmë”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë u tha edhe një herë se procesi gjyqësor ndaj Kurtit është i padrejtë, proces i montuar politik. Kreu i “vetëvendosjes” Albin Kurti është arrestuar dje pak orë pasi që bëri të ditur se “vetëvendosje” do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë se arrestimi është bërë me fletarrest të Prokurorisë Speciale të Kosovës të datës 4 maj 2010.

Kurti akuzohet për organizim të demonstratës së 10 shkurtit 2007, ku si rezultat i ndërhyrjes së policisë rumune të UNMIK-ut janë vrarë dy demonstrues dhe mbi 80 të tjerë janë plagosur. Policët rumunë janë kthyer menjëherë në atdheun e tyre dhe asnjëherë nuk kanë dalë para drejtësisë, madje edhe janë dekoruara nga autoritetet rumune për shërbim në Kosovë. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›