E Diel, 1 Nëntor 2026

170 mijë persona kalojnë kufirin në Vermicë brenda muajit

Pa u bërë ende një muaj i plotë që nga 21 maji, ditës kur edhe është hapur tuneli i Kalimashit, numri i personave që kanë kaluar nëpër pikën kufitare të Vermicës deri ditën e djeshme ka shkuar mbi 170 mijë dhe mbi 40 mijë vetura, ndërkaq sipas zyrtarëve të kësaj pike kufitare numri i personave që do të kalojnë në këtë pikë kufitare gjatë muajit korrik pritet të dyfishohet.

Numri i personave që kalojnë në pikën kufitare të Vermicës, për në Shqipëri, çdo vit sa vjen e shtohet. Sipas zyrtarëve kufitar, fluksi më i madh i personave që ia mësyjnë shtetit shqiptar, por edhe të atyre që vinë në Kosovë, është gjatë orëve të hershme të mëngjesit dhe se çdo ditë numri i personave që kalojnë në kufi sa vjen e rritet.

Rreshter Fatmir Bllaca, në pikën kufitare të Vermicës, ka thënë për Kosovapress se që nga hapja e tunelit në këtë pikë kanë kaluar mbi 170 mijë persona, ndërkaq qarkullimi i veturave ka qene rreth 40 mijë.

“Që nga hapja e tunelit të Kalimashit, me datën 21 maj të këtij viti, nëpër pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, kanë kaluar mbi 171 mijë persona, ndërsa kemi pasur një qarkullim të veturave rreth 40 mijë. Kjo shifër është në hyrje e dalje. Vetëm dalja nga Kosova të pasagjerëve kemi pasur një shifër prej 85 mijë personave, ndërsa hyrja është me 85 mijë persona”, ka thënë ai.

Bllaca ka bërë të ditur se sipas informacioneve të pasagjerëve që kalojnë në pikën kufitare, destinimi i tyre është kryesisht Durrësi dhe Tirana, ndërkaq ka theksuar që numri i personave që do të kalojnë në këtë pikë kufitare gjatë muajit korrik pritet të dyfishohet.

“Ne presim që do të ketë një fluks shumë më të madh të qytetarëve, të cilët do të udhëtojnë për Shqipëri. Në bazë të shënimeve të muajit qershor, presim që korriku sigurisht që do të dyfishohet, ne do t’i rrisim kapacitetet tona që qytetarët të kalojnë sa më lehtë, do të përdorim një proceduar të lehtësuar të kontrollit të tyre, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Do të bëhet regjistrimi i tyre sipas procedurave standarde tona, mirëpo nuk do të ketë vonesa në këtë drejtim, do të kalohet 5-10 minuta pritje”, ka thënë ai.

Sipas tij, lehtësimi i këtyre procedurave do të bëhet me kontrollin vizual të veturës, do të kontrollohet dokumenti i veturës, si dhe dokumentet e pasagjerëve, të cilat nuk kërkojnë ndonjë kohë për të kontrolluar këto.

Bllaca tha se ka pasur raste kur në pikën kufitare nga ana e Shqipërisë, për shkak të skadimit të afatit të dokumentacionit të UNMIK-ut, janë kthyer persona të ndryshëm, por kjo nuk ndodh në anën e Kosovës, pasi vlen ende urdhëresa e vitit të kaluar mbi qarkullimin e lirë të shtetasve të Kosovës me letërnjoftime. Sipas tij me fillimin e sezonit nuk ka më probleme të tilla nga asnjëra anë dhe se qytetarët mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›