E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje shpreh pakënaqësi ndaj procesit të privatizimit

Prishtinë, 01 shtator - Lëvizja Vetëvendosje shprehu pakënaqësinë për mënyrën e zhvillimit të procesit të privatizimit në Kosovë. Kjo lëvizje më një performansë të shfaqur në Sheshin Nënë Tereza, të Prishtinës (kishte kamufluar fytyrat e udhëheqësve të vendit, dhe të AKP-së me trupa të ndërtuar prej letre të cilët siç thanë zyrtarët e Vetëvendosjes janë në shitje) ka kundërshtuar mënyrën me të  cilën po privatizohen ndërmarrjet publike, duke e vlerësuar si të dëmshme për ekonominë e Kosovës.
Kukulla në kokat e të cilave ishin vendosur fotografitë e liderëve kryesor të shtetit dhe disa fjali shpjeguese, kanë qenë pjesë e performancës  të aktivistëve të “Vetëvendosjes”, të cilët në qendër të Prishtinës i kanë nxjerr në shitje presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe disa ministra, si dhe drejtorin e AKP-së, Dino Asanaj.
Në këtë valë speciale të privatizimit të “Vetëvendosjes” ishin të vendosura edhe pankarta me mbishkrimin “Shiten Shitësit”, “çmimi i pa negociueshëm 0:0 euro”, “Shiten vetëm për eksport. Pra, blerësi duhet t’i marrë me vete dhe t’ua ndërpres të gjitha kontaktet me Kosovën”, etj.
Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Frashër Krasniqi, siç raporton TV21,  vlerësoi se forma e deritashme e privatizimit ka sjell vetëm dëme për ekonominë e Kosovës dhe se deri më tash nga ky proces kanë përfituar vetëm liderët, duke ndërtuar shtëpi dhe blerë vetura më luksoze.
Duke vlerësuar se ndërmarrjet të cilat do të mund të ishin bazë e fortë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, po shkatërrohen në mënyrë që të shiten sa më lirë dhe sa më shpejt, Krasniqi tha se nëse vazhdohet me trendin e njëjtë të privatizimit të kompanive, siç janë PTK, KEK-u dhe Trepça, në Kosovë vetëm sa do të rritet varfëria.
Madje, aktivisti Krasniqi ka dhënë edhe një ide për procesin e privatizimit, duke thënë se i vetmi privatizim përmes të cilit do të përfitonte Kosova është shitja e politikanëve edhe atë vetëm për eksport.
Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, janë shprehur kundër privatizimit që po bëhet në Kosovë, për shkak se sipas tyre ky proces nuk mbështetet në një projekt më të gjerë ekonomik për zhvillimin e vendit dhe në këtë formë sjell vetëm shkatërrim të ekonomisë. Kundër procesit të deritashëm të privatizimit, janë shprehur edhe shoqëria civile, nga e cila janë dhënë kritika të shumta për shitjen e pasurisë së Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›