E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja vendore që i nevojitet Tiranës

BUJAR LESKAJ

Një vështrim analitik i fushatës zgjedhore që po zhvillohet deri tani ravijëzon qartas disa aspekte themelore. Në radhë të parë, vihet re një përkëmbim i dukshëm strategjish për të arritur qëllimin e fitores nga të dyja palët, por me qasje të ndryshme ndaj qytetit dhe qytetarit. Nëse koalicioni i djathtë vazhdon i përcaktuar qartë në udhën e sloganit të zgjedhur, pra të fokusimit të problemeve te qytetari, zhvillimi i qytetit, koalicioni i majtë po përzgjedh parësisht vijën e zgjedhjeve, si zgjedhje politike, me një slogan në kuptim tërësisht imponues totalitar, shfaqur si “e vetmja rrugë”, “rruga e Partisë”, “rruga e udhëheqësit”, për interesat e tij dhe të klanit përkatës.
Po pse vallë është spikatëse diçka e tillë? Edhe pse mund të duket paradoksale, një fushatë e tillë, e vendosjes në qendër të interesave të qytetarit, “e fluturimit të ulët” (siç përcaktohet nga politologët), e shkuarjes derë më derë dhe e “një kapilarizimi të projekteve” për çdo zonë, ngjan me të mirëpriturën tërheqje strategjike nga llogorja e luftës politike nga ana e koalicionit të së djathtës, për vetë faktin klasik se zgjedhjet vendore të tillë fushatë kërkojnë. Është pikërisht gjëja që na duhet, e besoj se u duhet edhe qytetarëve, për të shuar dalëngadalë të gjitha vatrat e nxehta të konfliktit, të cilat na kanë shoqëruar deri tani. Ndërkohë që përballë vijojmë të kemi një opozitë, e cila, me sa është shfaqur deri tani, nuk i është larguar edhe në zgjedhje kësaj llogoreje, duke vazhduar me po atë strategji të nisur prej dy vitesh, e inspiruar drejtpërdrejt vetëm nga interesat e kryetarit të PS-së, i cili, për fatin e keq të qytetarëve të Tiranës, kërkon mandatin e vet të katërt. Kuptohet lehtë se cila strategji i nevojitet publikut qytetar dhe atij intelektual, strategjia e projekteve, frymëzimit dhe efikasitetit në shërbim të qytetarit dhe qytetit.
Le të shohim se si do të përputheshin ato me kahet e strategjive. Secila prej tyre, nga ana e vet, sjell me vete edhe një lloj të caktuar ligjërimi përkatës. Dhe ligjërimi i këtyre zgjedhjeve për koalicionin e majtë po shfaqet si një test politik dhe, për rrjedhim, është një ligjërim që synon të shtrëngojë më tepër radhët e militantëve, në një kohë që edhe vetë mënyra e drejtimit të mesazhit që lejon kjo ligjëratë është ajo e një gjuhe të përgjithshme, të vagullt, kërcënuese, paralajmëruese, larg konkretes, së diversifikuarës, për çdo zonë, komunë apo bashki. Por, ligjërimi i përgjithshëm nuk  shpjegon asnjë nga parimet që do të dëshironte arsyeja e qytetarit, si: projekte, transparencë, cilësi, largpamësi, qetësi, paqe etj. Distancë kjo që shkurtohet maksimalisht nga fushata derë më derë dhe larg konfliktit që po zhvillon në Tiranë kandidati Lulzim Basha. Ligjëratat e një fushate elektorale vendore në Shqipëri, shumë rrallë janë kthyer në ligjërata profesionale, administrative, projektesh, pra, të ndara nga ato politike. Por tashmë, me sa duket, në Tirane kjo po ndodh te kandidati i Aleancës për Qytetarin. Kjo aleancë, ky kandidat, po fokusohet  në një program konkret me në qendër arsyen e qytetarit, nevojat që ai ka, të cilat ka kohë që po i shpreh, pasi ajo duhet të vendosë gjithçka në mbarëvajtjen e një qyteti, qoftë edhe kundër arsyes politike (p.sh deklarimi përsa i përket prishjes apo mosprishjes së Piramidës). Së dyti, në ligjëratën e kandidatit duket se ka referime konkrete për çdo segment të elektoratit, pra duket se u drejtohet të gjitha shtresave të popullsisë që jetojnë në Tiranë, madje edhe shtresave dhe profesioneve të rralla që më parë ishin konsideruar si të harruara. Gjykoj se kjo është pikërisht ajo politikë e re që kemi kërkuar dhe e kemi pritur, ajo  politikë që shkon përtej së majtës dhe së djathtës, siç është përcaktuar nga politologët shqiptarë.
Mirëpo edhe këtu, ndërhyrja brutale e politikës arrin të shkojë edhe më larg se kundërshtari. Ndoshta është shenja më e keqe e testit të këtyre zgjedhjeve, si zgjedhje politike nga ana e së majtës socialiste, shënjestrimi i një organizate joqeveritare, organizmi jopolitik, si lëvizja “Zgjohu”, me akuza e denoncime politike kur ajo protestoi para Bashkisë së kryeqytetit për arsye sociale, politike dhe denoncime në vijimësi të kësaj OJF-je. E sot, pse politikës së majtë i hyn miza nën kësulë, kur organizatat joqeveritare denoncojnë veprime apo mosveprime të deritashme të Bashkisë së Tiranës. Është gabim kur iniciativat e shoqërisë civile kërcënohen në mënyra të ndryshme gjatë presionit që ato ushtrojnë mbi institucione të ndryshme, sidomos në raport me transparencën, nepotizmin, korrupsionin etj. Janë kryekëput gabim presionet dhe akuzat publike që ushtron politika, deputetë të majtë të Kuvendit mbi to. Derisa nuk shndërrohen në politikë, ato, OJF-të,  kanë të drejtë të kryejnë misionin e tyre publik edhe kur denoncojnë qeverisjen, edhe kur denoncojnë opozitën. Pra, a është kjo udha e mençur, e qetë dhe logjike që duhet të ndjekë opozita? Pse duhet ta sulmojë shoqërinë civile dhe të përçmojë takimet e intelektualëve me kandidatin tjetër? Këto nuk janë  kurrsesi binarët e luftës politike, por të luftës me shoqërinë tënde, me komunitetin tënd, të cilit po i kërkon dhe votën. Dikur opozita i pat sulmuar me të drejtë këto veprime, kurse sot, në vend që të ecë përpara, po bie në çarkun e së shkuarës.
Megjithëse nuk do të doja të hyja në detaje të tjera të kësaj fushate, arsyeja ime e konsideron të gabuar nga pikëpamja etike përzgjedhjen e zotit Rama për të kandiduar për të katërtën herë përmes një slogani totalitar, siç është “E vetmja rrugë”, çka nënkupton dhe veprime destabilizuese në fushatë, gjatë fushatës dhe në pranimin e rezultatit. Ai, si kryetar i Partisë Socialiste, forca më e madhe opozitare e vendit, ka së pari këtë detyrë të vështirë për të kryer. Përtej aktivitetit politik dhe praktikës “së dy kungujve nën sqetull”, pikërisht për t’iu përgjigjur parimeve që kërkon arsyeja e qytetarit, Tirana njëherë e përgjithmonë, si një “shtet në miniaturë” që është, ka nevojë për “kryeqeveritarin” e vet në detyrë, që të punojë jo 2-3 orë, siç mendon Edi Rama, se ka kohë fizike, por të punojë e të mendojë 24 orë për Tiranën, siç e kërkojnë qytetarët.
Në kohë të tilla, ku gjërat ndryshojnë me muaj, është e papranueshme një përtaci administrative që vazhdon me vite. Kreativiteti, vetëm në fjalë, por jo në vepra, mund të jetë edhe shenjë e përtacisë mendore, por ai s’do të arrijë kurrë të japë fryte të shëndetshme po s’u ujit me punë këmbëngulëse, cilësi pune, efikasitet të përditshëm, pra po s’u shoqërua me veprime konkrete. Asnjëherë nuk është menduar madhërisht për këtë qytet, që e kemi dhe kryeqytetin tonë, as me projekte afatgjate dhe as me përkushtim afatgjatë, me frikën se meritat mund t’i marrë kundërshtari, pasuesi i ardhshëm. Por, le të jetë edhe kjo risia e madhe.
Le të jetë kjo hera e parë që mendimi i “gjatë” të fitojë mbi mendimin “e shkurtër”. Dhe më duket se këtij parimi, kjo fushatë po ia kthen jehonën. Po dëgjojmë projekte konkrete nga ana e maxhorancës, që nuk ishin lakuar në gjithë këto vite. Le të themi tramvajin e Kombinatit e kudo qoftë, në ndonjë zonë tjetër, Kampusi i Universitetit, Galeria e Arteve e Tiranës, Biblioteka Universitare etj., etj. Po ia dëgjojmë zërin për herë të parë librit si një projekt i kandidatit Basha në fushatë zgjedhore. Ndoshta janë vetëm premtime elektorale? Ndoshta për ndonjë dyshues, skeptik apo kundërshtar politik, por jo për mua personalisht.
Këto janë projekte emancipuese që, të realizuara për një mandat apo për më shumë, janë zhvilluese. Janë ide të reja dhe idetë e reja të frymëzojnë t’i mbështetësh. Jemi të prirur të besojmë në to, dhe që të besosh është gjë e mirë. Por e sigurta që mund të themi është se janë shenjat e një strategjie elektorale që frymëzon, që ngjall shpresën, gjë që rrallë ka ndodhur në Tiranë. Të gjitha këto janë, gjithashtu, emblemë e një fushate jo negative ndaj kandidatit ose punës së kryer nga paraardhësi. Por disa prej – tyre mund të thotë dikush – janë projekte që s’i përkasin vetëm Bashkisë ose kompetencave të saj. Po. Kjo është e vërtetë. Veçse kjo është risia e madhe, shpresa e madhe.
Më në fund, një kandidat mendon pozitivisht, mbështetet te frymëzimi i një projekti të madh që mund t’i japë impuls bashkëpunimit dhe financimit edhe nga buxheti i shtetit të një projekti të tillë.
Dhe, bashkëpunimi i pushtetit vendor me atë lokal larg konfliktualitetit masakrues të deritanishëm, për mua si qytetar është shpresë e vërtetë. Qytetarët e Tiranës e kanë kuptuar tashmë produktin e fortë, zhvillimin progresiv që sjell sinergjizimi i politikave vendore me politikat qendrore, ndryshimi midis mosbashkëpunimit të qeverisjes vendore të Ramës me qeverisjen qendrore të Berishës dhe atij midis bashkëpunimit të ardhshëm, midis kryebashkiakut të Aleancës për Qytetarin dhe qeverisë “Berisha” është ndryshimi ndërmjet rritjes në progresionin aritmetik dhe rritjes në progresionin gjeometrik. Është kjo një shpresë e madhe e kësaj fushate. Ndoshta Tirana ka nevojë njëherë e mirë që ta ketë mike “qeverinë” e saj vendore, e cila të jetë në harmoni, bashkëpunim të plotë me qeverisjen qendrore dhe të dyja bashkë në shërbim të qytetarit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›