E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëzgjimi nga mosbesimi

ELMAZ SHERIFI

Kur Rama u bë për herë të dytë kryetar i Bashkisë në 2003-shin, thonë se i lindi edhe mendimi për zëvendësimin e Nanos si Kryeministër para zgjedhjeve politike të vitit 2005. Për këtë qëllim, sipas porosive të bashkëpunëtorëve mori me urgjencë kartën e anëtarit të Partisë Socialiste dhe konkurroi për kryetar partie. Për të fituar zemrën e kongresmenëve (si i quante), dhe si populist, kërkoi që partia të hapej e të lejoheshin fraksionet, mandati i kryetarit të kufizohej, e nëse humbiste zgjedhjet parlamentare, ai të largohej. Për të fshehur atë që dëshironte (humbjen e PS në zgjedhjet e radhës), Rama bëri një deklaratë befasuese. Ti dorëzosh pushtetin Berishës është tradhti kombëtare! Socialistët kishin tetë vjet në pushtet. Nuk do të ishte keq po të vazhdonin qeverisjen e vendit edhe një mandat tjetër. Rrotacioni i pushtetit në një shoqëri demokratike është gjëja më normale, gati një ligjësi. Madje rrotacioni i pushtetit, me zgjedhje të lira e demokratike, e dallon shoqërinë demokratike nga sistemet diktatoriale. Të konsiderosh rrotacionin e pushtetit tradhti kombëtare, do të thotë se mendësia është me prirje diktatoriale. Këtë deklaratë e bënte njeriu, që pretendonte se ishte armiku i sistemit totalitar, një filozofi e shprehur në librin Refleksione, ku dhe kongresmenët, të cilëve tani u drejtohej, në libër i quante pasardhësit e Partisë së Punës. Për të stigmatizuar demagogjinë dhe filozofinë e tij politike, mbajta në atë kongres një ligjëratë për Makiavelizmin politik, dhe frenimin nga padurimi për marrjen e kreut të partisë, me çdo kusht e me çdo çmim, (diskutimi do të jetë pjesë e një libri tim të ri). I dëshpëruar nga humbja e thellë në kongres, Rama nisi një turravrap nëpër Shqipëri për të bërë publike shqetësimet, por edhe për të treguar idetë dhe vizionin e tij për një qeverisje demokratike. Në fokus të sulmeve të tij ishte keqqeverisja e socialistëve me ministrat e saj të pangopur. Me këtë lëvizje politike, realisht ai ndihmonte z. Berisha, pasi kritikat për keqqeverisjen i bënte ish-kandidati për kryetar partie dhe kryebashkiaku i Tiranës, socialisti Rama. Nga dashuria e madhe që ka për Pezën, mbështeti hapur kandidatin e Aleancës Demokratike, Dashamir Peza (sot deputet i PS, nga lista Rama), i cili mori mbi 1500 vota, duke ndihmuar në humbjen e kandidatit të Partisë Socialiste, Agron Dibra, vetëm për 300 vota. Me humbjen e zgjedhjeve, Ramës iu dha drejtimi i Partisë. Si të ishte një strateg, ai bëri tri deklarata publike. Deklarata e parë: Do të bashkoj LSI me PS. Deklarata e dytë: Do të demokratizoj PS dhe të majtën në tërësi. Deklarata e tretë: Do tju risjell në pushtet, ndoshta para 2009-s. Le të arsyetojmë se cilat nga këto deklarata janë realizuar. Pasi politikani vlerësohet për atë që premton dhe e realizon. PS, i mbushi gjashtë vjet në opozitë dhe nuk mund të parashikojmë sa vite të tjera do të vazhdojë ta përjetojë këtë situatë. LSI është shpallur kundërshtar politik i PS! E majta është shartuar me aleatë të rinj, të cilët më parë e konsideronin PS dhe të majtën në tërësi fatkeqësinë e kombit. Këto janë treguesit e Politikës së re që u shpall te hotel Sheraton, me formulimet që i konsiderova një përçartje teorike dhe papërgjegjshmëri politike. Prandaj kërkova të diskutoja në prezencë të mediave televizive. Çuditërisht, formuluesi i politikës së re deklaroi se nuk kishte vend për diskutime dhe urdhëroi që media të largohej. Ndërsa turma e anëtarëve të rinj asambleistë, si dikur servilët e kryetarëve të kooperativave në asambletë e kooperativave bujqësore, mu turrën me ulërima se përse guxoja të diskutoja idetë e kryetarit të madh, jo Mao! Për të argumentuar se politika e re, në fakt ishte shumë e vjetër, shkova në mbledhjen e Asamblesë në Shkodër dhe diskutova për këtë farsën e politike. Çuditërisht ai që më kundërshtoi më shumë ishte një nga kritikuesit e sotëm të politikave të tij. Me Politikën e re, socialistët humbën zgjedhjet e 2009-s dhe për dy vjet u ngujuan në rrugë e sheshe. Të udhëhequr nga kjo politikë, deputetët e PS bojkotuan të gjitha institucionet politike të shtetit. Nga podiumet e lëvizshme (për të cilat paguhej një grup i tërë), përfaqësuesit e koalicionit: hap kutitë ose largohu, vendosën me dhjetëra kushte, nga të cilat nuk u plotësua asnjëra prej tyre. Greva e deputetëve ishte një tjetër veprim politik sui generis, pjellë e fantazisë së politikanëve, që në emër të lirisë veprojnë si anarkistë. Por, nderin e deputetëve e shpëtoi darka e sajuar e Krokodilit në Strasburg. Madje negociuesit vërshuan nga të gjitha institucionet e Europës. Nga Parlamenti i Bashkimit Europian dhe nga Parlamenti i Këshillit të Europës. Nga Departamenti i Shtetit dhe këshilltarë e ndihmës të zonjës Klinton. Të gjithë kërkonin rikthimin në jetën parlamentare dhe respektimin e institucioneve politike. Përgjigjja e politikës së re ishte e njëjtë. Pa u hapur kutitë, nuk ka rikthim në Parlament, ska dialog, madje u kërcënua se nuk do të kishte as zgjedhje vendore! Por çdo gjë u harrua pas konkurrimit për herë të katërt dhe humbjes së Bashkisë nga kryetari i PS. Tani gjithçka trajtohet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe po artikulohet kursi i ri, si instrumenti i ri magjik. E treta e vërteta, deklaroi Rama plot emocion në fjalimin një orë e gjysmë të gjatë në kongresin e radhës. Disa kanë filluar të mahniten nga gjenialiteti i ideve të munguara të Ramës dhe plot energji mundohen të shpjegojnë thelbin e kursit të ri çudibërës! Duartrokitje të gjata në kongres për suksesin e politikës së re dhe bojkotin e gjatë frytdhënës. Të gjithë diskutojnë për sukseset që do të sjellë kursi i ri i propozuar nga teoricieni i politikës së re. Kursi i ri me dhjetë pika kërkon rikthimin në Parlament, bashkëpunimin me maxhorancën për të plotësuar kushtet e fitimit të statusit të kandidatit në BE, miratimi i ligjeve që kërkojnë votë të cilësuar, e të tjera e të tjera, si shkruan satiriku-politik Arben Duka. Po këto kanë kërkuar të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtarë gati prej dy vitesh. Atëherë, ku është misteri i kursit të ri? Gjithashtu, para se të pranohet si i vërtetë kursi i ri, duhet të analizohen sukseset e politikës së re. Sepse ligjet e logjikës formale, të paktën ligji i argumentimit të mjaftueshëm dhe ligji i kontradiksionit, nuk i pranojnë si të vërteta dhe njëkohësisht si të reja, edhe politikën e re, edhe kursin e ri. Sipas këtyre ligjeve, njëra është e vjetër, përpara se tjetra të pranohet si e re. Sepse nuk do të ishte i nevojshëm kursi i ri nëse politika e re nuk do të rezultonte e vjetër. Deklarimi i kursit të ri i jep të drejtë gjykimit tim dhe shumë analistëve të tjerë që politikën e re e kemi trajtuar si shumë të dëmshme për PS dhe thjesht deklaratën e një njeriu, i cili, për të kamufluar prirjet e tij autokratike, përdor teza populiste dhe rekruton njerëz që i shërbejnë realizimit të ëndrrës së tij. Por kjo politikë nuk mund të plotësojë as ëndrrën e kryetarit, as dëshirën e socialistëve. Një njeri mund të udhëhiqet nga marrëzi të tilla, por është e pakuptimtë se si mund të heshtin mijëra delegatë që me furgonë bënin qindra kilometra për demonstratën e radhës, me bindje se në fund të dhjetorit 2010 Berisha do të gëzonte pensionin! Edhe organizimi i demonstratave dhe grevave argumentohej si plotësim i kërkesave të bazës! Po përse baza vendosi që të hiqej dorë nga grevat e demonstratat, për tu kthyer te kursi i ri? Edi Rama po i trajton organet e PS si tespihe në duart e sulltanit humbës. Kjo është fatkeqësi jo vetëm për socialistët, por edhe për shtetin e kombin. Pasi PS është parti e alternimit të pushtetit. Kam konstatuar se të gjithë po gëzojnë që Edi Rama po flet për politikë institucionale. Madje më shumë gëzojnë ata që e inkurajonin të ecte me shpejtësi në rrugë joins

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›