Vettel i pari mes polemikave në Malajzi

Sebastian Vettel doli fitues në betejën mes dy makinave Red Bull, duke regjistruar triumfin e tij të 27-të në karrierën e Formula 1. Gjermani arriti i pari vijën e finishit mes polemikave që duken të pazakonta kur bëhet fjalë për dy pilotë që ndodhen në krye të garës. Pavarësisht udhëzimit të bosit të skuadrës, Christian Horner, 3 herë kampioni nuk u bind për të mbajtur vendin e dytë deri në xhiron e fundit, por u fut në manovra të rrezikshme parakalimi për t’i marrë vendin e parë shokut të skuadrës, Webber, madje duke rrezikuar edhe një kontakt mes tyre që mund të ishte fatal. Zemërimi u pa qartë në fytyrën e Webber në përfundim të garës në Sepang, ndërsa Vettel kërkoi menjëherë falje për veprimin e tij, që u cilësua “fëmijëror” nga Horner.
Betejë brenda skuadrës pati edhe për vendin e tretë e të katërt, me Lewis Hamilton që u ngjit në podium duke lënë pas pilotin tjetër të Mercedes, Nico Rosberg. Vendi i pestë për brazilianin e Ferrarit, Felipe Massa, i cili u nis nga vendi i dytë por humbi disa pozicione gjatë garës, ndërsa u zgjua në fund për të fituar disa vende. Piloti tjetër i Ferrarit, Fernando Alonso i pafat në Malajzi. Spanjolli u nis i treti por një kontakt që në start me Vettel i dëmtoi pjesën e përparme të makinës dhe mosfutja në bokse e la pa pikë atë. Sapo kishte nisur xhiroja e dytë dhe dëmtimi i makinës e nxjerr jashtë piste Alonson, i cili garën tashmë duhet ta shikojë nga bokset. Vendin e gjashtë e zuri Grosjean, i pasuar nga Raikkonen, Hulkenberg dhe Perez.
Klasifikimi i pilotëve pas Çmimit të Madh të Malajzisë:
01 Sebastian Vettel 40
02 Kimi Räikkönen 31
03 Mark Webber 26
04 Lewis Hamilton 25
05 Felipe Massa 22
06 Fernando Alonso 18
07 Nico Rosberg 12
08 Romain Grosjean 9
09 Adrian Sutil 6
10 Paul di Resta 4
11 Nico Hulkenberg 4
12 Sergio Perez 2
13 Jenson Button 2
14 Jean-Eric Vergne 1
15 Valtteri Bottas 0
16 Esteban Gutierrez 0
17 Jules Bianchi 0
18 Charles Pic 0
19 Giedo van der Garde 0
20 Max Chilton 0
21 Daniel Ricciardo 0
22 Pastor Maldonado 0
Klasifikimi i konstruktorëve pas Çmimit të Madh të Malajzisë:
01 Red Bull Racing-Renault 66
02 Lotus-Renault 40
03 Ferrari 40
04 Mercedes 37
05 Force India-Mercedes 10
06 Sauber-Ferrari 4
07 McLaren-Mercedes 4
08 STR-Ferrari 1
09 Williams-Renault 0
10 Marussia-Cosworth 0
11 Caterham-Renault 0