Jose Mourinho nderohet në Setubal

Jose Mourinho rikthehet në qytezën portugeze Setubal nga ku nisi rrugën e gjatë drejt suksesit. “I veçanti” u nderua me çeljen e një galerie ku pasqyrohet ecuria e tij gjatë viteve si trajner. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga asambleja e përgjithshme lokale e Setubalit që tashmë po mendon edhe ngritjen e një statuje në nder të teknikut që e bëri të njohur emrin e qytetit në mbarë globin. Jose u shfaq i emocionuar në ambientet e qëndrës kulturore Galeria Municipal ku shfaqen edhe disa nga fotot më historike të trajnerit portugez me trofetë e fituar. Sipas bashkisë së Setubalit, Mourinho ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit botëror duke e revolucionarizuar brenda pak vitesh. Gjatë fjalës së tij, Mourinho u shfaq i emocionuar dhe njëkohësosht krenar për arritjet e tij.
“Të gjithë e dinë se unë kam një shpirt aventurieri dhe e gjithë familja ime më ka mbështetur në këtë aventurë që sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Nuk është e lehtë të rinisësh një aventurë të re pasi ke qenë në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë. Ndoshta një ditë do ta ripërsëris këtë rrugë”.
Jose Mourinho është një nga trajnerët më të sukseshshëm të këtij shekulli dhe për këtë flasin faktet. 50-vjeçari ka arritur të triumfojë në kampionatet e 4 vendeve të ndryshme me Porton, Chelsean, Interit dhe Realin e Madridit, ndërsa në arenën ndërkombëtare e ka ngritur trofeun e Champions League vetëm me skuadrën portugeze dhe atë italiane. Mourinho numëron gjithashtu edhe trofe të tjerë si, një kupë UEFA, Kupë dhe Superkupë të Portugalisë dhe Italisë si dhe dy Kupat e Anglisë./Indeksonline/