Tradhtarët e vërtetë
Nga Elton Peçi
Fyerjet në adresë të z. Kastriot Islamit mitingjet përpara shtëpisë së tij nuk mund të cilësohen veçse faza e fundit e linçimit të kësaj figure që për PS do të ishte luks ta kishte ende në radhët e saj. Si një zgjedhës që historikisht ka votuar për të majtën, kurrsesi nuk mund ti pranoj dhe distancohem nga sjellje të tilla denigruese ndaj çdo individi dhe aq më tepër ndaj figurave të nderuara intelektuale si z. Kastriot Islami.
Historikisht elektorati i majtë është individualizuar si më i qetë dhe më i përmbajtur se elektorati i djathtë. Sigurisht që ka patur militantizëm, por ka qenë më i butë dhe nuk përfundonte deri në linçim. E gjithë kjo është përgjegjësi e lidershipit aktual pasi ai është bariu i deleve në politikë Kjo që po shohim është thjesht injorancë!
E kam të pamundur të shpreh edhe habinë me këtë sjellje pa logjikë të këtyre mitingashëve përpara shtëpisë të dikujt. Me çtë drejtë? Me çtë drejtë o njerëz sulmoni një individ deri edhe në shtëpinë e tij?
Deri këtu mund të shkojë verbëria juaj? Mos do ta akuzoni z. Kastriot Islami se u bë i djathtë tani kur ai është themelues i PS-së? Lëmshi në KQZ vërtet që po ngatërrohet keq nga e djathta, por mos e majta është pa përgjegjësi?
Kaq të verbër dhe naivë jeni kur harroni se si kanë kaluar këto 4 vitet e fundit? Si mund ti kujtoni ju mitingashë moralin në votim z. Kastriot Islami kur vetëm moral nuk ka në këtë lidership që drejton elektoratin tonë të majtë? Besoj se shumë prej jush mund të kenë protestuar në 21 janar përpara kryeministrisë. Shumëkush prej jush mund të ishte njeri prej atyre 4 që u vranë. Ata që u vranë në 21 janar u vranë për të protestuar për një video të denoncuar nga PS. Sa e sa homazhe u bënë për ta.
Sa e sa vetë protestuan në mbështetje të grevës së urisë së deputetëve socialist kundër regjimit të korruptuar, një pjesë të të cilit tashmë e kemi bërë aleat.
Një analizë e thjeshtë të bën të mendosh se të gjitha këto protesta 8 vjeçare (sikurse edhe ju mitingashe) në opozitë kanë qenë false, boshe apo imorale dhe regjimi nuk paska qenë i korruptuar.
Gjithë këto vite në opozitë z. Kastriot Islami vuri në dukje se PS nuk mund të fitojë e vetme zgjedhjet. Ai u pasua edhe nga zëra të tjerë brenda në PS. Për këtë arsye ai edhe u përjashtua nga grupi parlamentar i PS. Tashmë, kur ajo që rekomandoi zotëria i nderuar por i linçuar u bë realitet, në vend që të bëhet një mea culpa ndaj tij, ju e linçoni. Për sa kohë që nuk është në grupin parlamentar socialist ju nuk keni të drejtë apo moral të kërkoni llogari për votën e tij. Ky është imoralitet! Të kërkosh me dhunë diçka që i përket dikujt të cilin ti e ke larguar si të padëshiruar.
Çfarë morali ka në përkujtimoret që ju kryeni për Gërdecin kur 2 javë pas tragjedisë bëtë marrëveshje me Berishën për të ndryshuar kushtetutën e 1998. Përse asnjë nga ju mitingashë nuk protestoi kur në tragjedinë e Gërdecit nuk u kërkua menjëherë dorëheqja e qeverisë. Përse asnjë nga ju mitingashë nuk proteston përpara shtëpisë së lidershipit socialist për shkatërrimin e kushtetutës së 1998 (e votuar nga elektorati i majtë).
Unë nuk e miratoj aspak votën pro të Kastriot Islamit, por ju nuk keni aspak të drejtë të bërtisni tani për moral dhe tradhti. Ju keni tradhtuar kryetarin tuaj historik për çtensionimin e situatës politike në vend që ai induktoi. The king is dead. Long live the King! (i riu) Kështu do të tradhtoni edhe ju kryetarin e 2-të pasi të largohet edhe ai nga pushteti. Të tillë janë militantët: bëjnë iso dhe brohorasin për kryetarin e radhës, pavarësisht piruetave të tij. Ai është dielli, mbreti dhe i pagabueshmi. Le të humbasë ai zgjedhjet e përgjithshme apo ato presidenciale. Kush del kundër tij duhet linçuar Nuk e vini re tashmë ngjashmërinë e PS-së së tanishme me PD e viteve 90-të? Ngjashmëria fillon nga kryetarët dhe zbret deri tek militantët
Unë nuk jam aspak dakord me thëniet se në politikë nuk ka dhe nuk duhet kërkuar moral. Morali është një nga principet apo aksiomat e pandryshueshme në çdo fushë të jetës. Nuk mund të zhduket. Autorët e piruetave të tilla mund të ngushëllojnë veten se sa të kenë pas tyre dele si ju, e kanë lidershipin të sigurtë. Gabohen rëndë. Mbase nuk jemi shumicë, por jemi një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë që mendojmë se politika duhet të ketë moral. Ky lidership sigurisht që nuk do të ndryshojë bindjet tona, përveçse do kushtëzojë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje.
Tashmë pas dietës me ngjala dhe aleancës së re, unë vazhdoj tju pyes ju mitingashë se çfarë morali kërkoni ju tek z. Kastriot Islami kur ju jeni vetë pa moral. N.q.s dikush nga ju ka protestuar 8 vjet dhe tanimë proteston përpara shtëpisë së z. Kastriot Islami, dijeni mirë se zotëria të paktën nuk ka konsumuar ngjala Ato po i konsumoni ju! Tradhtarët e vërtetë jeni ju!