Vëzhgimi/Ruçi dorëzohet para nismave antisocialiste të Ramës

Një nga xhaketat e vjetra të Partisë Socialiste, ish ministër i Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, Gramoz Ruçi s’ia doli të ruajë të paprekshme status quo-në politike të PS. I njohur për qëndrimet e tij kundër Edi Ramës sa i takon katapultimit në PS të figurave pa kontribute, sekserëve dhe klientëve të tij, duket se Ruçi është dorëzuar para një nisme të tillë. Ai nuk ka më fuqi të ngrejë zërin, sepse boshllëkun që Rama i ka krijuar në aspektin e ndërtimit të formacionit politik privat, ia shpërbleu duke e riemëruar si “ushtar” të vazhdimësisë së fortifikimit të nomenklaturës së pasardhësve të regjimit. Normalisht që Ruçi e ndjen veten të plotësuar politikisht me pjesën e “ushtarit” të vazhdimësisë së Enver Hoxhës, por fakt i pamohueshëm është se në të vërtetë ai nuk pajtohet me formacionin klientelist të Ramës. Në këto kushte, në këmbim të heshtjes së tij të gjatë, në formën e ruajtjes së sekretit, Ruçi është i detyruar t’i shërbejë deri në fund formacionit privat të kreut të PS, por njëherazi mesazhi që i jepet opinionit publik, është ai i njeriut ish ministër të Ramiz Alisë, i akuzuar për masakrën e 2 prillit në Shkodër dhe plot e plot mëkate të tjera që regjimi i Ruçit i ka shkaktuar shqiptarëve. Në thelb, kreu i PS ka zgjedhur një rrugë që shkon në drejtim të kundërt me konceptin ideologjik të partisë që do qeverisë vendin. Tendenca për të miksuar servilët, spiunët, sahanlëpirësit dhe sekserët me “xhaketat e vjetra”, është tregues se të këqijat që do përjetojë ky vend, të këqijat që do kalojnë shqiptarët do jenë të dyanshme. Nga njëra anë do veprojnë servilët, spiunët, sahanlëpirësit dhe sekserët, ndërsa në anën tjetër në veprim do të jenë edhe njerëzit e regjimit. Bashkimi i këtyre dy të këqijave bashkë, do jetë fatale për Shqipërinë, ekonominë, shëndetësinë, punësimin dhe integrimin. Shqiptarët duhet ta harrojnë rritjen ekonomike me qeverinë “Berisha”. Duhet të harrojnë rritjen e pagave dhe pensioneve. Duhet të harrojnë reformat ekonomike. Gjithashtu duhet të heqin dorë nga pretendimet për reformë eficente në sistemin shëndetësor, sikurse s’duhet të përmendin në kërkesat e tyre punësimin. Integrimi Europian nuk është në axhendën e Partisë Socialiste dhe të qeverisë së saj. Nuk është në fokusin e politikave të kryeministrit të ardhshëm. Ajo që dominon formacionin e ardhshëm qeverisës është klientelizmi deri në palcë dhe angazhimi i “xhaketave të vjetra”, për të riaktivizuar në psikologjinë e shqiptarëve egërsinë e regjimit Hoxhist.