Vëzhgues ndërkombëtarë për konfliktin e gazit midis Rusisë dhe Ukrainës
Pragë - Presidenca çeke ka paralajmëruar sot një takim midis përfaqësuesve ukrainas dhe atyre rus për dërgimin e ekspertëve evropian të cilët do të vëzhgojnë nga afër situatën për të sqaruar pretendimet e palëve. Ndërkohë më parë, Ukraina dhe Rusia kanë kërkuar vëzhgues të BE-së të inspektojnë gassjellësin. Rusia pretendon se Ukraina po e vjedh gazin që i dedikohet shteteve të tjera evropiane dhe se nuk ia vlen më që Rusia të dërgojë më shumë, gjë kjo e kundërshtuar rreptësisht nga Kievi zyrtar. Moska thotë se duhen ftuar vëzhgues ndërkombëtarë për të qenë dëshmitarë të mbylljes së rubinetave. Nga ana tjetër, shtatë shtete evropiane janë ankuar se nuk po marrin më furnizime të gazit rus. Rusia furnizon një të katërtën e nevojave evropiane me gaz natyror, ndërkohë që është prodhuesja e tretë në botë e tij.