Vëzhguesit: Zgjedhjet në pikëpyetje, KQZ-ja aktuale sgaranton ankimimet
Tiranë- Në kohën kur Parlamenti i Shqipërisë është mbledhur për të votuar tre ligjet, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë fton dhe nxit forcat politike që ky moment bashkëpunimi të shtrihet edhe më tej për të zgjidhur ngërçin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duke siguruar administrimin e mëtejshëm të procesit me një anëtarësi të plotë të KQZ-së.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, KRIK Alabania, thekson se zgjidhja e ngërçit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është domosdoshmëri pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në kushtet kur KQZ-ja funksionon e paplotë, kur Kolegji Zgjedhor është akuzuar nga forcat opozitare për qëndrim të njëanshëm dhe kur Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë pak ditë më parë i heq të drejtën vetes për të shqyrtuar ankimime lidhur me zgjedhjet, besimi i qytetarëve në forcën dhe zbatimin e ligjit si dhe në vetë procesin zgjedhor vihet seriozisht në pikëpyetje,- thuhet në deklaratë.
KRIK Albania gjithashtu sqaron se Kodi Zgjedhor e vendos ankimimin si një garanci për një proçes zgjedhor të drejtë dhe si një instrument për çdo aktor në proçesin zgjedhor për të kërkuar të drejtat e dhëna nga kuadri ligjor.
Sipas tyre, KQZ-ja me 4 anëtarë, nuk mund të garantojë kërkesat për ankimim.
Kodi Zgjedhor në nenin 24 pika 1 gërmat b, c, ç kërkon një vendimarrje të cilësuar me 5 vota pro, për pranimin e kërkesave të ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve[6].
Në këtë situatë ku KQZ-ja është e përbërë nga vetëm 4 anëtarë, tërë kërkesat për ankimim mbeten pa adresë.
Vetë KQZ-ja, si shkallë e parë, nuk do mund të nisi gjykimin e asnjë kërkese. Në momentin që shkalla e parë për ankimim bëhet e pa mundur, edhe Kolegji Zgjedhor nuk vihet dot në lëvizje kur nuk kemi një vendimmarrje të KQZ-së.
Pra, po gjendemi përballë situatës ku mund të mohohet e drejta e ankimimit-thotë KRIK Albania në deklaratë.