Ende mister shtatzania e Florie Pecit, familjarët: Të zbardhet e vërteta
—-Nga Julian Hoxhaj—-
Elbasan- Historia e shtatzanisë së studentës së mbijetuar nga tragjedia e Himares, Florie Pecit vazhdon ende nën hijen e misterit.
Pak muaj më parë historia bëri bujë, sepse rezultoi se Floria në kushte të pavetëdijes kishte mbetur shtatzënë në shtetit austriak ku dhe po kurohej.
Pas denoncimit të të vëllait të Flories në prokurori, ku sipas tij motra ishte përdhunuar gjatë kohës që ishte në koma në një spital në shtetin austriak për rehabilitim, mësohet se ende sot hetimet vazhdojnë, pa asnjë autor konkret.
Më 21 maj u bë një vit nga aksidenti tragjik i Himarës. Shtatëzania e mistershme e Flories ende vazhdon të mbetet e tillë dhe të shoqërohet nga dhimbja e mosgjetjes së abuzuesit. Familjarët e kontaktuar nga Gazeta IDEA nuk pranojnë që të flasin më për këtë çështje, por thonë se hetimet vazhdojnë dhe se presin që të zbardhet e vërteta e hidhur.
Florija qëndroi 55 ditë në koma, si pasojë e dëmtimeve që mori nga aksidenti i 21 majit të vitit të kaluar. Florija pritet të sjellë në jetë fëmijën, që sipas mjekëve mendohet të jetë ngjizur rreth datës 25 shtator të vitit 2012.