E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit vendorë i shkruajnë Berishës dhe Ramës: Zgjidheni ngërçin e KQZ-së

sali-berisha-edi-rama-tryeza1Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i ka nisur një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në lidhje me ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Koalicioni e konsideron të pakuptimtë mungesën e deritanishëm të vullnetit për ta zgjidhur këtë ngërç, madje është i pamoralshëm përdorimi i tij për përfitime elektorale apo kredite politike qoftë tek faktorët ndërkombëtarë, qoftë tek militantët apo aktivistët tuaj, apo, qoftë edhe përdorimi i tij i mundshëm si shkak për të justifikuar fitoren apo humbjen pas 23 qershorit, thuhet në letër.

Ndër të tjera KVV thekson se konstaton me keqardhje se Kodi Zgjedhor i ndërtuar dhe i miratuar nga dy partitë që Ju drejtoni është një Kod i cili varet kryekëput në çdo hallkë të tij nga vullneti politik, duke vënë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit ligjor aq shumë të përmendur në programet tuaja politike.

Në përfundim  të letrës, KVV i drejtohet dy liderëve: Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit kurajën dhe vizionin tuaj për të kapërcyer interesat e ngushta partiake dhe ngërçet e panevojshme, duke u orientuar drejt interesit afatgjatë në të mirë të të gjithë shqiptarëve për ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve të konsoliduara e të pavarura, në funksion të interesave dhe të të drejtave të qytetareve.

Koalicioni ju fton të gjeni kurajën dhe vullnetin e duhur duke sjellë frymën e bashkëpunimit dhe të vlerësimit reciprok, duke e futur ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor në shtratin e duhur ligjor si dhe duke nxitur më tej një fushatë të qetë, të qytetëruar si dhe të orientuar drejt përballjes së platformave programore dhe çështjeve konkrete në interes të qytetarëve./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›