E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video përgjimi, Halilaj: Prifti mashtroi për ankandin e naftës bruto

TIRANË- Në Gjykatën e Lartë u zhvillua procesi në ngarkim të ish- zëvendës kryeministrit Ilir Meta. Procesi vijoi me dëshminë e katër dëshmitarëve të parë, mes të cilëve edhe biznesmeni Bekim Halilaj, i përmendur nga Dritan Prifti për ankandin e 30 mijë tonëve naftë bruto të Albpetrolit në muajin mars të vitit 2010 dhe ndërhyrjen që Ilir Meta sipas Priftit ka bërë në favor të tij.

Në dëshminë e tij, biznesmeni Bekim Halilaj hodhi poshtë pretendimet se zoti Meta kishte ndërhyrë që kompania e tij të fitonte një ankand të Ministrisë së Ekonomisë, për naften e 'Alpetrolit'.

“Unë e kam patur mik prej vitesh Dritan Priftin dhe nuk kisha se përse të kërkoja ndërhyrjen e Ilir Metës, për këtë ankand”- u shpreh Halilaj i cili shtoi se pas anulimit të ankandit për disa herë, mori vesh se Albpetrol-i kishte nënshkruar një marrëveshje një muaj para ankandit me firmen “Dea Konstruksion”, për të përfituar sasinë e naftës, duke e kthyer ankandin në fiktiv.

Ndërkohë, të njëjtin qëndrim mbajtën në dëshmitë e tyre edhe nëndrejtori i 'Alpetrolit", Pajtim Sulaj dhe shefi i prokurorimeve në këtë kompani, Artur Mahmutaj, të cilët pohuan se, nuk kishin pasur asnjë ndërhyrje nga zoti Meta për shitjen e naftës bruto të kompanisë.

Ish-zv/kryeministri Meta është vene nën akuzen e korrupsionit nga Prokuoria e Përgjithshme pas transmetimit në media të videos, ku ai shfaqej me ish- ministrin Prifti ne një bisede per disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Meta, ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij, ndërsa e ka cilesuar videon si një shantazh për dëmtimin e imazhit të tij.

Video përgjimi, Prifti: Nuk kam ndërhyrë në orën regjistruese
Gjatë seancës gjyqësore, Dritan Prifti i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorëve të cështjes si edhe të avokatëve të kreut të LSI-së, lidhur me dy akuzat kryesore për koncesionin e ‘Gostinës’ dhe ankandin e naftës bruto të ‘Albpetrol-’it.

Prifti deklaroi se marrëdhënia me ish-ministrin Meta, nga shkurti 2010 deri në largimin e tij nga Ministria e Ekonomisë ka qenë marrëdhënie kërkesash, sipas tij të paligjshme. “Doja një provë për marrëdhëniet dhe kërkesat e paligjshme të Metes”, - mësohet të ketë thënë Prifti përpara togave të zeza në Gjykatën e Lartë.

I pyetur se me cfarë u regjistrua biseda në zyerën e tij, Prifti deklaroi se ajo është realizuar me kamer të fshehur brenda një ore dixhitale në tavolinë, ndërsa ka deklaruar me përgjegjësi të plotë se filmi është bërë me atë orë. Prifti sqaroi më tej se filmimi i cili pretendohet të jetë fshirë, mund të ketë ndodhur pasi ora ka një kapacitet të vogël regjistrues dhe në të ka patur edhe filmime të tjera. Gjithashtu Prifti shtoi se nuk ka ndërhyrë në video për të përmirësuar zërin apo figurën, një ndërhyrje të tillë ai e ka bërë përmes një flash-i, në një kopje të filmimit, ndërsa në Prokurori është dorëzuar video origjinale.

(el.me/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›