Videoteka Prifti
Disa muaj më parë, ish-Ministri Dritan Prifti publikoi skandalin më të madh korruptiv, në vend, dhe pas disa deklarimeve publike, iu drejtua institucionit të Prokurorisë së Republikës, me premtimin se të tjera video-skandale, edhe më të rënda, do të publikoheshin në varësi të ecurisë së hetimeve, që do kryente institucioni shqiptar i akuzës, por edhe të sigurisë fizike të familjes së tij.
Para disa ditësh foli përsëri. Përsëriti të njëjtën formulë, fjalë për fjalë! Se kishte video edhe më të rënda, që implikojnë persona më të rëndësishëm se Ilir Meta! Por nuk na tha se kë? Por tha arsyen e mos publikimit të tyre: druhej se ato, ashtu si edhe video e parë, do të përdoreshin kundër tij, për ta akuzuar ligjërisht!
Si shumica e shqiptarëve e mirëprita publikimin e skandalit Meta, dhe e mbështeta Priftin për kurajon e treguar, dhe njëkohësisht e mirëkuptova hezitimin e tij për të kushtëzuar publikimet e mëtejshme, në varësi të situatave që do të pasonin. E mirëkuptoj heshtjen e tij, edhe pas ngjarjeve që pasuan 21 Janarin, si kontribut, ndoshta edhe në zbatim të doktrinës Arvizu, për të mos hedhur benzinë në zjarrin që ndezi politika! Por sot nuk mund ta besoj, aq më pak ta mirëkuptoj, këtë ridalje të tij në skenën politiko-mediatike shqiptare. Sepse sot, veprimi tij nuk mund të justifikohet as ligjërisht, e aq më pak moralisht.
Organi i akuzës është vënë ligjërisht në lëvizje dhe, sipas burimeve mediatike, tashmë ka në dorë ekspertimin që vërteton autenticitetin e provave të paraqitura prej tij. Por gjithashtu ka ndryshuar edhe statusi juridik i Priftit, ai është person nën akuzë, dhe pa imunitet. Si i tillë ka detyrimin për të kallëzuar provën, për të mos penguar drejtësinë që të kryejë një hetim të plotë, të drejtë e të gjithanshëm. Një akuzë më shumë apo më pak, nuk do të ndryshojë asgjë në statusin e sotëm juridik të tij! Por do të shtojë një element më tepër në tablonë e zezë të korrupsionit qeveritar. Ndaj Prifti sot nuk duhet të heshtë!
Por edhe Prokuroria e Përgjithshme, nuk duhet të heshtë pas këtij ri-vetpohimi, për të disatën herë të Dritan Priftit, se ai po i fsheh drejtësisë të tjera prova, për veprimtari të paligjshme në vënd. Mjafton të lexosh përciptazi Kodin Penal, për të kuptuar absurdin e heshtjes së Prokurorisë, ndaj rideklarimeve, se ai ka kryer dhe posedon të tjera filmime që provojnë afera korruptive!
Por më shumë se me drejtësinë, Prifti gjendet në sfidë me moralin. Me atë moral, në emër të të cilit ai bëri regjistrimin në mirëbesim të shokut dhe mikut të tij, bëri denoncimin publik dhe juridik të skandalit. Po në emër të këtij morali do të duhet të përballojë edhe sfidat dhe pasojat e luftës ndaj të keqes. Ashtu siç u përballën me plumbat e korrupsionit, të vrarët e të plagosurit e 21 Janarit, që protestuan duke besuar, veç të tjerash, edhe në fjalët e tij për autenticitetin e video-skandalit (e vërtetuar tashmë), por edhe në premtimin e tij se do të publikonte të tjera video edhe më të rënda (ende premtim).
Nëse vërtetë i ka ato regjistrime, është pikërisht koha ti publikojë tani. Për ti treguar opinionit publik se Aleanca (e pretenduar) për qytetarin është aleanca për kusarin!
Nesër nuk do ti vlejnë askujt! Nesër nuk do të ketë në krah askënd, pasi askush nuk do të ketë kohë dhe nerva të bëhet pjesë e lojës së tij. Sepse nesër, në Shqipërinë e Aleancës për kusarinë do të ketë kuptim të flasim për gjithçka, por jo për vjedhjen dhe vrasjet qeveritare, për krimin e organizuar që po mbyt shtetin ligjor dhe median e lirë (me blerje dhe ngrirje siç bëri sot Ambasadori shumë, por shumë i vogël i një shteti të madh nën shembullin e burrit të shtetit), e aq më pak për korrupsionin e LSI-stëve!
Sepse nëse ndodh kjo, nuk do të kemi më mundësi të flasim! Dhe atëherë videoteka e filmave-korruptive të Priftit, do të ketë vlerën e videotekave-porno, që sot nuk frekuentohen më as nga adoleshentët…
*respublica.al