Vidhet makina e blerë me lekët e burgut

Vidhet makina e këngëtarit të njohur Sherif Merdani. Lajmi konfirmohet nga vetë këngëtari për mediat shqiptare, i cili denoncoi vjedhjen e makinës së tij tip ‘Citroen Pikaso’ me ngjyrë të zezë me targë, TR2824U, me vlerë prej 20 mijë eurosh. Këngëtari ka bërë kallëzimin në Komisariatin Numër 2.
Këngëtari i prekur, në një prononcim për News24, i bëri thirrje hajdutëve që t'i kthejnë makinën të cilën e ka blerë me shpërblimin e viteve të burgut të kryer gjatë diktaturës.
“Makina ndodhej në zonën e shkolles “Dëshmorët e Lirisë”, ku unë banoj. Një ditë para vjedhjes i kanë thyer xhamin e parë, sepse djali kishte harruar çelësat rezervë brenda në makinë. Këtë gjë e dinim vetëm unë dhe djali dhe punëtorët e lavazhit. Unë xhamin e vura sërish dhe të nesërmen ika me gruan në kishën e Shën Ndoit (Laç) dhe pas ceremonisë e parkuam makinën ne territorin e shtëpisë dhe në mëngjes nuk e gjetëm më. Kjo ndodhi natën e së shtunës, (më18.05.2013). Menjëherë vajta në Komisariatin numër 2, ku une bëra denoncimin. Deri tani ka vetëm dyshimi. Dua të bëj një thirrje, atyre që e kanë marrë. Duhet të dinë se Sherif Merdani i ka shlyer Zotit të gjitha dhe Zoti ia fali jetën. Kam punuar 11 vjet në minierë dhe shteti më dha 20 mijë euro shpërblim për vitet e burgut, më kanë vjedhur rininë time. Diktatura po vazhdon të më vrasë. Ju bëj thirrje të më sjellin makinën dhe të më kërkojnë të falur janë të falur nga unë”, deklaroi Merdani i prekur.
Vjedhja është kryer më datë 18.05.2013, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve./Indeksonline/