E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet makina e zv.ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë

TIRANË- Pas politikanëve, avokatëve e prokurorëve, tash më u ka ardhur radha dhe diplomatëve që të jenë në listën e personave që u janë grabitur automjetet. Ka qenë makina e zv.ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë, e cila ka qenë objekti i një grabitjeje të ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se, rreth orës 01:10 është njoftuar, se në mjetin tip "Benz", me targa diplomatike CD 5206 A të zv.ambasadorit kuvajtian, persona të paidentifikuar i kanë marrë një çantë dore, ku brenda ka pasur të gjitha dokumentet, si dhe dy pasaporta e portofolin. Paraprakisht, mësohet se në drejtimin e mjetit ka qenë djali i zv/ambasadorit. Ndërkaq, menjëherë pas telefonatës, forca të shumta të Komisariatit Nr.2 kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë nisur verifikimet për të zbardhur autorët e grabitjes. Bëhet e ditur se mjeti ka qenë i parkuar në rrugë pa mbyllur dyert me çelës. Ky fakt duket se është shfrytëzuar më së miri nga ana e grabitësit, i cili ka hyrë pa u shqetësuar në mjet dhe është larguar prej andej me çantën e diplomatit. Nga ana e saj, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje një sërë kalimtarësh, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar deri më tani për të zbardhur identitetin e autorit.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›