E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë bisedimet informale, e paqartë situata në veri të Kosovës

Borisllav Stefanoviç, Goran Bogdanoviç, Erhard Buhler

Prishtinë, 5 gusht 2011, NOA Update Kur vijojnë ende bisedimet informale për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës ende nuk dihet se çfarë është vendosur për këtë zonë të Kosovës e banuar nga një shumicë serbe.

Mbrëmjen e vonë të së enjtes komandanti i KFOR-it Erhard Buhler bisedoi për pesë orë me zyrtarët serbë në një zonë pranë Leposaviçit.

Pas takimit si Komandanti i KFOR-it Erhard Buhler dhe kryenegociatori serb në bisedime me Kosovën Borisllav Sefanoviç e ministri për Kosovën në qeverinë serbe Goran Bogdanoviç nuk kanë bërë asnjë deklaratë për mediat duke lënë ende të paqartë vendimin e marrë për pikat kufitare në veri dhe zhbllokimin e barrikadave.

Bisedimet mes zyrtarëve serbë dhe KFOR-it pritet të vazhdojnë edhe sot, ndërkohë që mediat e Kosovës bëjnë me dije se janë përjashtuar nga bisedimet zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Sipas autoriteteve situata në veri të Kosovës është e qetë, por me potencial tensioni.

Në veri të Kosovës mbetet ende në fuqi draftmarrëveshja e arritur para tri ditësh ndërmjet KFOR-it dhe zyrtarëve serbë, një draft i hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, këmbënguli se gjendja në veri ka ndryshuar, dhe se nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut në dy vendkalimet kufitare.

Por, qeveria e Kosovës edhe pse e ka hedhur poshtë projekt-marrëveshjen e arritur mes KFOR-it dhe zyrtarëve serbë ka lejuar kalimin e kamionëve me ndihmat humanitare, duke pranuar dorazi një pikë të marrëveshjes.

Ndërkohë asnjë agjenci shtetërore nuk ka shpallur se në veri të Kosovës ka krizë humanitare.

Qeveria e Kosovës shprehet se do të zbatojë masat e reciprocitetit dhe se nuk do të negociojë me askënd për Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Mbrëmë kamionë me mallra kanë hyrë në dy vendkalimet kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakës, ndërkohë që në dy doganat nuk kishte doganierë kosovarë.

mit/NOA

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›