Vijojnë punimet për bajpasin e Shëngjinit, Ndreu: Ndërtojmë rrugën e së ardhmes së turizmit

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Punimet për ndërtimin e bajpasit të Shëngjinit po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti i bashkisë Lezhë, i mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, synon të lehtësojë ndjeshëm trafikun gjatë sezonit të verës dhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë të bregdetit të Lezhës.
Gjatë një inspektimi në terren, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi se punimet po realizohen sipas standardeve të kërkuara dhe me cilësi të lartë.
Ai nënvizoi se ecuria e punimeve është pozitive dhe se projekti do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe vizitorët.
“Inspektimi në terren konfirmoi se punimet po ecin me cilësi të lartë dhe me ritëm të shpejtë, duke garantuar një infrastrukturë moderne dhe funksionale për qytetarët dhe vizitorët. Ne e mbajtëm fjalën e dhënë”, theksoi Ndreu.
Ndreu shtoi se investimet në infrastrukturë mbeten prioritet për bashkinë, veçanërisht në funksion të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Ai theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për të ardhmen e zonës.
“Lezha dhe Shëngjini po ndërtojnë sot rrugën e së ardhmes së turizmit”, theksoi Ndreu.
Sipas tij me këto ritme që po kryhen punimet, bajpasi mund të jetë gati për verën e vitit të ardhshëm.
Ky segment rrugor, me gjatësi 8,1 km, është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kap vlerën e 11 milionë eurove.
Për ndërtimin e segmentit po punohet njëkohësisht në të dy kahet e këtij bajpasi, i cili do të lidhet me rrugën e re Shëngjin–Velipojë.
/m.q/r.e/