E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë punimet për parkun rekreativ me 18 hektarë pranë Urës së Bunës në Shkodër

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se vijojnë punimet për ndërtimin e parkut rekreativ pranë Urës së Bunës në Shkodër, një projekt me 18 hektarë gjelbërim që synon transformimin urban të hyrjes së qytetit.

Sipas Kryeministrit, parku do të krijojë një hapësirë moderne, të gjelbër dhe të aksesueshme për qytetarët dhe turistët, duke i dhënë Shkodrës një dimension të ri urban dhe funksional.

“Vijojnë punimet për parkun rekreativ pranë Urës së Bunës, një projekt me 18 hektarë gjelbërim që po transformon hyrjen e Shkodrës, duke e kthyer në një hapësirë funksionale për të gjithë qytetarët dhe turistët, dhe që do t’i japë qytetit një dimension të ri urban”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe është konceptuar si një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konsideruar si “mushkëri e re” për qytetin.

Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, ndërtimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, në harmoni me mjedisin përreth.

I vendosur mes lumit Buna dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit, parku do të kombinojë zona të gjelbra me hapësira për pushim, kënde lojërash për fëmijë, zona sportive dhe ambiente për piknik.

Një element i veçantë i projektit janë “Kopshtet e Pazarit të Vjetër”, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe rajonin.

Këto kopshte përbëhen nga 30 hapësira të konceptuara si rrugica të ndara sipas zejeve, me gjeometri të frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.

Projekti parashikon gjithashtu pesë ishuj lojërash për fëmijë të moshave të ndryshme, si dhe një zonë të dedikuar për lojëra tavoline, përfshirë shah dhe pingpong, të hapura për të gjitha grupmoshat.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar gjelbërimit, me ruajtjen e pemëve ekzistuese dhe pasurimin e parkut me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, me synim krijimin e një hapësire të qëndrueshme dhe natyrale për komunitetin.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›