Godinë moderne për fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Përmirësimi i infrastrukturës universitare dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies mbetet në fokus të investimeve të qeverisë.
Një nga projektet e investuara së fundmi është edhe ai për godinën e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kantieri i punës për ndërtimin e këtij fakulteti, i cili do të ketë një godinë moderne me hapësira dinjitoze për studentët dhe stafin akademik.
“Nga projekti në realitet, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit po merr formë dita-ditës, në një godinë moderne, me laboratorë, salla leksioni me kapacitet të lartë për studentët, ambiente seminari në çdo kat dhe hapësira dinjitoze për stafin akademik”, u shpreh Rama, ndërsa publikoi edhe fotot e projektit përfundimtar.
Kryeministri e cilësoi këtë investim një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës universitare dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies, në shërbim të brezave të ardhshëm të profesionistëve të shëndetësisë.
Investimi infrastrukturor për ndërtimin e godinës të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ka nisur vitin e shkuar dhe pritet të përfundojë këtë vit.
/m.m/j.p/